Helmohen nënë e bijë, mister shkaqet
Xhile Sila dhe Burbuqe Pepa janë gjetur të vdekura mëngjesin e së shtunës nga një fqinjë e tyre
Bazuar dhe në dëshmitë e marra burime nga grupi hetimor shprehen se dyshojnë për një ngjarje aksidentale
TIRANË- Gjenden të vdekura në shtëpinë e tyre nënë e bijë, ndërsa dyshohet se janë helmuar. Trupat e pajetë të Xhile Silas, 70 vjeçe dhe vajzës së saj Burbuqe Pepa, 42 vjeçe, janë zbuluar mëngjesin e së shtunës, teksa burime nga policia bëjnë të ditur se gjithçka mund të ketë ndodhur pasditen e së premtes. Ndërsa thuhet se bëhet fjalë për një helmim të dy grave, banore të fshatit Shën Mëri të komunës Shëngjergj në Tiranë, ende nuk ka asnjë informacion nëse është një helmim aksidental apo i qëllimshëm. Burime nga uniformat blu shprehen se gjithçka do t'i lihet autopsisë, teksa vijojnë hetimet për të mbledhur dëshmitë nga fqinjët dhe të afërmit e dy grave.
Ngjarja
Ka qenë 8:30 e mëngjesit të djeshëm kur një banore e fshatit Shën Mëri ka vendosur t'iu bëjë një vizitë fqinjeve të saj, Xhile Silas dhe Burbuqe Pepës. Por teksa ka hyrë në shtëpi, ajo i ka gjetur të dyja gratë të vdekura në njërën nga dhomat. Ajo ka njoftuar menjëherë banorët e tjerë dhe më pas kanë njoftuar policinë. Dyshohet se vdekja e nënë e bijë ka ndodhur në orët e vona të ditës së premte. Fakti që ato jetonin vetëm e ka bërë më të vështirë zbulimin e vdekjes së tyre, çka nënkupton se vdekja është marrë vesh shumë më vonë seç ka ndodhur dhe kjo falë vizitës së njërës prej fqinjeve.
Hetimi
Pasi u njoftuan për ngjarjen, uniformat blu dhe oficerë të policisë gjyqësore të mbërritur në fshatin Shën Mëri kanë marrë në pyetje banorë të ndryshëm lidhur me dijeninë për rrethanat e ngjarjes. Nga ana e vet, grupi hetimor bën të ditur se dyshohet se kanë të bëjnë me një helmim nga pakujdesia dhe se viktimat mund ta kenë marrë nga ushqimi. Pista e helmimit aksidental mbështetet edhe nga dëshmitë e marra nga banorët e fshatit, të cilët kanë treguar se viktimat nuk kanë pasur ndonjë konflikt me persona të ndryshëm dhe nuk kanë vënë re asnjë veprim dyshues tek to për të ngritur një pistë për vetëhelmim. Fakti që nuk janë gjetur shenja në trup e bën edhe më të besueshme një tezë të tillë. Megjithatë, sipas bluve, pritet bërja e autopsisë nga ana e mjekëve-ligjorë, të cilët do të japin edhe një përgjigje më të saktë lidhur me shkakun e vdekjes së dy grave. Mbërritja e trupave me vonesë në morg është shkaktuar edhe nga terreni i vështirë ku ndodhej banesa dhe ku jetonin nënë e bijë. Nga ana e grupit hetimor pritet një zbardhje e mëtejshme e ngjarjes në ditët në vijim.