Policia: Nënë e bijë u vetëvranë
Hetimi i bluve të kryeqytetit ka ngritur dyshimin, se ngjarja është një veprim i qëllimshëm dhe jo aksidental
Ekspertët kanë zbuluar, në banesën ku u gjetën dy gratë e vdekura, helm miu që dyshohet se është përzier në ushqim
TIRANË - Nënë e bijë, dy gratë të cilat u gjetën të vdekura të shtunën në orët e para të mëngjesit, në një banesë në fshatin Shëngjergj të Tiranës, dyshohet se janë vetëhelmuar me bar miu. Shkak për vetësakrifikimin e tyre dyshohet të jetë bërë gjendja e vështirë ekonomike e tyre.
Gjithsesi, një motiv i tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga policia, ndërsa pritet që ekspertët të kryejnë edhe veprime të tjera hetimore, për të zbardhur motivet e mundshme të vetëvrasjes së dy grave.
Specialistët e hetimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pohuan se për këtë qëllim pritej të merreshin deklarime dhe dëshmi të tjera të personave, që sipas policisë kishin dijeni mbi rrethanat e ngjarjes.
Ndërkaq, tashmë për policinë ka rënë poshtë pista e një ngjarjeje aksidentale, për shkak të helmimit nga qumështi i një gatimi me oriz të dy grave.
Specialistët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, kanë konfirmuar se vdekja ka ardhur nga helmimi dhe dyshimi i policisë lidhet, pikërisht me disa tableta helmi miu që është gjetur në banesën, ku u gjetën të vdekura gratë.
Gjithsesi, për të konfirmuar që vdekja ka ardhur për shkak të konsumimit të ushqimit të përzier me këtë lëndë helmuese, pritet të konfirmohet nga Laboratori i Toksikologjisë. Në këtë laborator janë dërguar nga hetuesit kampione të gjakut dhe të helmit, të administruar nga ekspertët gjatë kryerjes së veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes.
Një fakt i tillë, është pohuar për "Shekullin", nga burime të Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, që kanë hetuar ngjarjen në fjalë, kanë pohuar se Xhile Sila dhe vajza e saj Burbuqe Pepa (Sila), 42 vjeçe, janë vetëhelmuar.
Një fakt i tillë është konfirmuar prej hetuesve, të cilët kanë pohuar se dyshimet e tyre mbi një vetëhelmim janë forcuar edhe nga prania e një helmi kundër minjve në ambientin e shtëpisë së tyre.
Një pako që mbante një helm të tillë është gjetur e hapur, nga ekspertët e policisë që kanë kryer kqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kontrollin e banesës, pas gjetjes së dy grave të moshuara në banesën e vajzës në fshatin Shën Mëri të komunës së Shëngjergjit.
Ndërkaq, një element tjetër që ka shtyrë hetuesit të mendojnë se ato nuk kishin vdekur të helmuara aksidentalisht nga qumështi, por se janë vetëhelmuar, është fakti se ato nuk janë gjetur duke konsumuar ushqim, apo pasi kishin konsumuar atë.
Po kështu, sipas tyre, shtëpia në të cilën u gjetën nënë e bijë mësohet se ka qenë e rregulluar si çdo ditë tjetër dhe aty nuk kishte njerëz të tjerë. Këto fakte, si dhe fakte të tjera kanë bërë që policia të hedhë dyshimet e një vetëvrasjeje të qëllimshme.