Rama: Gati për një bashkim të ri
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, sapo ka përfunduar një konferencë shtypi ku ka bërë thirrje për një bashkim të ri. Një ditë pas votimeve në kuvend për ndryshimet në kushtetutë, Rama kritikon të gjithë ata deputetë që votuan pro ndryshimeve.
Ndryshimet në kushtetutë janë votuar mbrëmë në Kuvend me 115 vota pro, 17 kundër dhe 3 abstenime.
Ndryshimi themeltar që u bë dje është ndryshimi i sistemit zgjedhor nga mazhoritaro –proporcional në proporcional – rajonal me lista të mbyllura si dhe për sanksionimin e zgjedhjes së presidentit me 70 plus një përqind të votave në raundin e katërt dhe të pestë. Pikërisht këto ndryshime i ka quajtur jo të drejta, sot kreu i PS-së, Edi Rama.
“Dje Kuvendi i Shqipërisë kaloi një reformë zgjedhore që mbyll zhgënjime të njëpasnjëshme nga proceset e pandershme elektorale, dhe cenon rëndë imazhin e Shqipërisë në Botë”.
Ai ka ftuar të gjithë ata që kanë votuar kundër ditën e djeshme në një Bashkim të Ri.
“Dua të ftoj sot të gjithë ata që votuan kundër kësaj reforme. Partia Socialiste nuk e ka ndërmarrë këtë nisëm transformuese për të përjashtuar aleatët e saj, partitë opozitare dhe individë që do të bashkohen me ne për të ballafaquar një politikë të re” – tha Rama.
Fjala e plotë e kreut të PS-së, Edi Rama
Dje Kuvendi i Shqipërisë kaloi me shumicë votash një reformë zgjedhore që mbyll zhgënjime të njëpasnjëshme nga proceset e pandershme elektorale, dhe cenimit të papranueshëm të imazhit të Shqipërisë në Botë. Duke i mirëkuptuar ekseset verbale në debatet që vijoi proceset e miratimit dua të ftoj sot të gjithë ata që votuan kundër kësaj reforme. Partia socialiste nuk e ka ndërmarrë këtë nisëm transformuese për të përjashtuar aleatët e saj, partitë opozitare dhe individë që do të bashkohen me ne për të ballafaquar një politikë të re.
Kjo është një nismë radikale për ti dhënë politikës përmbajtje dhe peshë në ballafaqimet elektorale dhe për ti dhënë votuesve një pamje transparente të gjendjes në Shqipëri.
Kësaj nisme duam ti japim jetë sëbashku me të gjithë ata që politikën e shohin si një pasion për të ndryshuar dhe si një pasqyrë për tu bashkuar rreth idealeve të përbashkëta.
Është koha e forcës së qetë dhe jo e gjuhës së forcës dhe e bashkëpumit midis forcave e individëve që duan fundin e politikës së vjetër dhe simbolit Sali Berisha.
Për këtë bashkim të ri jemi me mish e me shpirt të angazhuar dhe në të janë të ftuar të gjithë. Shpreh keqardhje për gjithë agresionin verbal në adresën time e të PS-së.
Dua ta kuptojnë edhe më mirë sot se kjo parti që përfaqëson shumicën sot as shantazhohet e as ndalet në politikën e saj të shtrembër.
Ky bashkim i ri për të cilin ne po punojmë me mish e me shpirt prej kohësh dhe të cilin po e formësojmë në rrugë e me mënyra të larmishme nënkupton mishërimin e vullnetit të kudondodhur sot në Shqipëri për tu ndarë nga politika e vjetër.
Kjo për tu dhënë shqiptarëve jo një mundësi që të zbresin nga kali një kryeministër e një tufë ministrash dhe për të hypur të tjerë në atë kalë, por si një mundësi për ti dhënë fund tranzicionit, për tu ndarë nga politika e vjetër dhe për të garantuar përmes mundjes në fushën e betejës elektorale të politikës së vjetër krijimin e mundësive për të mundur varfërinë, papunësinë, injorancën, dhunën, korrupsionin.
Është koha për ti dhënë politikës të zhveshur nga përmbajtja e të mbyllur në kutinë e televizorit në një shfaqje të pafundme e bajate, kuptimin e saj të vërtetë.
Politika është mision është pasion është hapësirë për tu bashkuar në ideale e ide të përbashkëta. Këtë kërkojmë të bëjmë ne dhe ky është thelbi i bashkimit të ri.
Ne nuk do të bëjmë asnjë arnim të një sistemi të konsoliduar në një nga demokracitë më të mëdha evropiane. Ju siguroj se ky sistem nuk e pengon bashkimin e ri si një koalicion forcash progresiste që shtrihen nga ato aktuale në parlament deri tek forca shoqërore e individë që përditë po bashkohen me partinë socialiste me këtë frymë që ne po kultivojmë sëbashku me shqiptarët në të gjithë Shqipërinë. Ne kërkojmë që të ndahemi nga një politikë e vjetër që ka zhgënjyer për 17 vjet me radhë shqiptarët.
Në demokraci dhe në kuptimin tonë për demokracinë një kryeministër largohet me dorëheqje ose me votë dhe është fare e qartë që qëndrimi ynë dhe rruga jonë janë konform këtij kuptimi të shëndetshëm të demokracisë. Secili mban përgjegjësitë e veta morale e politike dhe është populli ai që gjykon dhe vendos kur individët me pushtet nuk janë në gjendje për veten e tyre në emër të moralit të politikës.