E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helmohet nusja ditën e dasmës, dy të vdekur. Vëllai: Ndjeva erë helmi

Shtëpia e familjes Gega, ku ka ndodhur ngjarja

Kruje/ Nusja 21-vjeçare në gjendje të rëndë në spital, vdesin dy gratë që flinin në dhomë. Vëllai: Ndjeva erë helmi.

Ngjarja, 3 orë pas banketit. Rëndë në spital 21-vjeçarja. Dyshime mbi helmim të qëllimshëm.

“Si e gjeta motrën duke nxjerrë shkumë nga goja”
Vëllai i Pashkes: Ndjeva erë helmi kur hapa derën e dhomës.

Altin Gega: S’kishim konflikte. Dyshoj se dikush ka hedhur ndonjë helm në dhomë.

Familja e krushqisë, drekë dasme pa nuse e pa dhëndër.
Gjok Pula: Pa muzikë, s’i kthenim mbrapsht.

Nusja helmohet në ditën e dasmës. Pashke Gega, vetëm 21 vjeçe, ndodhet në gjendje të rëndë në spital, ndërsa dy të afërme të saj humbën jetën në rrethana misterioze. Tragjedia u shënua në fshatin Dukagjin të Ri të komunës së Thumanës në Krujë, vetëm disa orë pas përfundimit të banketit të vajzës dhe vetëm pak kohë para se të dilte e veshur me të bardha për të shkuar te dhëndri. Viktimat janë Mrika Gega, 45 vjeçe, banuese në të njëjtin fshat, nusja e xhaxhait të nuses, si dhe krushka e tyre, Nusha Ndoja, 55 vjeçe, e ardhur nga Puka. Ato u gjetën rreth orës 5 të mëngjesit në gjendje të rëndë, nga një prej vëllezërve të nuses, i cili shkoi të zgjonte të motrën për të shkuar në parukeri. Por, kjo e fundit u gjet pa ndjenja, pikërisht në ditën më të bukur të jetës së saj, atë të martesës. Të tria femrat kishin fjetur në të njëjtën dhomë, por ndërsa dy dasmoret shkuan pa jetë në spital, nusja e re po lufton me vdekjen në reanimacionin e spitalit të Tiranës. Policia e Krujës ka mbërritur me urgjencë në banesën ku ndodhi ngjarja, duke nisur hetimet për shkaqet që sollën vdekjen e dyfishtë dhe rrezikojnë jetën e 21-vjeçares. Megjithatë, ende nuk ka përcaktuar nëse bëhet fjalë për helmim të qëllimshëm apo arsye të tjera që janë nën hetim. Madje, nuk deklarohet as nëse viktimat kanë ndërruar jetë nga helmimi apo asfiksia. Brenda 3 orësh askush nuk ka dëgjuar asnjë zhurmë apo kërkesë për ndihmë nga tri femrat, çka lë të dyshosh se helmimi ka qenë tepër i fortë.

(Artikullin e plotë  e lexoni në numrin e sotëm të gazetës Panorama)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›