Helsinki s’e lëshon Sadikun

Edhe pse ka marrë oferta nga klube të ndryshme, Berat Sadik do të mbetet pjesë e kampionit të Finlandës, Helsinkit, të paktën deri në afatin kalimtar të verës.
Në adresë të reprezentuesit finlandez gjatë dimrit kishin ardhur disa oferta, në mesin e tyre edhe nga klubi izraelit Maccabi Haifa dhe ai turk Antalyaspor, por kampioni i shumëfishtë finlandez ka refuzuar të gjitha.
“Ka pasur disa oferta në adresën time, por Helsinki nuk ka dashur të dëgjojë për asnjërën. Kështu unë do të mbetem në klub dhe do ta jap maksimumin”, ka thënë sulmuesi shkupjan për Express.
Sadiku sezonin e kaluar me paraqitjet e shkëlqyeshme udhëhoqi Helsinkin drejt triumfit në kampionatin finlandez dhe Kupën e Finlandës. Tani 25 vjeçari synon që sërish t’i rrëmbejë këta trofe.
“Na kanë ikur disa lojtarë nga skuadra dhe nuk kemi mundur t’i zëvendësojmë. Helsinki është klub i madh dhe gjithmonë lufton për trofe. Sigurisht se edhe këtë sezon jemi favorit për t’u shpallur kampin dhe për ta fituar kupën”, ka theksuar Sadiku i cili ka edhe një vit kontratë me Helsinkin.
Ai ishte transferuar në Helsinki vitin e kaluar nga ekipi tjetër finlandez Lahti. Ai me ekipin nga Sonera Stadium ka realizuar 25 paraqitje, derisa ka shënuar 15 gola. “Shpresoj që këtë sezon të realizoj edhe më shumë gola”, ka përfunduar Sadiku.
Reprezentuesi finlandez gjatë karrierës kishte luajtur edhe në Bundesliga me Armenia Bielefeldin, por nuk arriti të dëshmojë vetën. Ish sulmuesi i Kupsit dhe i Lahtit, pas rikthimit në futbollin finlandez, ka ringjallur karrierën duke rënë në sy të klubeve të ndryshme.