E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helsinki, takohen ministrat e jashtëm të OSBE-së

Ministrat e jashtëm të OSBE-së në takimin e tyre në Helsinki kanë diskutuar për luftën e shkurtër midis Rusisë dhe Gjeorgjisë duke e konsideruar atë si shembull I keq që nuk ndihmon në stabilitetin e rajonit.Ministrat kanë diskutuar gjithashtu për propozimin e Rusisë për një pakt të ri sigurie në Europë.Lufta e shkurtër ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë dhe implikimet e saj ishin në krye të axhendës në takimin e ministrave të Jashtëm të OSBE-së në Helsinki. Ministri i Jashtëm i Finlandës, Aleksandër Stub, ishte ai që i mirëpriti 50 ministrat e Jashtëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. "Tashmë, lajmi i keq është se ne kishim një konflikt të egër dhe luftë në Gjeorgji. Kjo është diçka që unë kurrë nuk dua ta shoh më. Për herë të parë në jetën time pashë se si një luftë u mbyll. Kjo më jep mjaft shpresë se ne jemi këtu që t'i zgjidhim këto lloje të konflikteve", tha Stub. Shefi i diplomacisë franceze, Bernard Koushner e kritikoi vendosjen e trupave ruse në dy rajonet separatiste të Gjeorgjisë, duke thënë se kjo nuk ndihmon për stabilizimin e rajonit. Ministrat kanë diskutuar gjithashtu për propozimin e Rusisë për një pakt të ri sigurie në Europë. Franca, e cila mban presidencën e radhës së BE-së është shprehur e gatshme për të parë mundësinë e një pakti të tillë. Ndërsa zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Metju Briza ka deklaruar se propozimi i Rusisë për një pakt të ri kolektiv sigurimi i drejtohet NATO-s, për të cilën Rusia thotë se po shkel sferën e saj të influencës. "Nuk ekziston nevoja për një arkitekturë të re dhe kjo është shumë transparente", tha Briza në samitin të OSBE-së .

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›