E Diel, 1 Nëntor 2026

“Hendeku mes pagave të qytetarëve dhe pushtetarëve është ngushtuar”

01-09-2012 / Gazeta 55

Zëvendësministri i Financave Nezir Haldeda sqaron vendimet e qeverisë që nga viti 2005
 
Zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda, deklaroi dje, gjatë një konference për shtyp, se pagat e punonjësve të administratës janë dyfishuar që nga viti 2005. Sipas tij, diferenca e pagave të qytetarëve me pagat e pushtetarëve, përfshirë edhe kryeministrin, ka ardhur duke u ngushtuar që nga viti kur ka filluar rritja e pagave. “Rritja më e fundit e pagave është pjesë e programit të qeverisë për rritjen e mëtejshme të mirëqenies sociale, duke inkurajuar veç të tjerash edhe trendin pozitiv të kërkesës konsumator në treg”, tha Haldeda.
Sipas tij, rritja e pagave mundësohet nga krijimi i një trendi pozitiv në ekonominë shqiptare, stabiliteti makro dhe qëndrueshmëria e ritmi pozitiv i të ardhurave në buxhetin e shtetit për periudhën tetë mujor, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në rritjen më të fundit të pagave, tha Haldeda, paga mesatare e mësuesit në arsimin e mesëm shkon në nivelin 59.235 mijë lekë, ose 2.2 herë më e lartë se në 2005-ën. Po ashtu nënvizoi ai, paga mesatare e mësuesit në arsimin 9-vjeçar shkon në 50.563 lekë ose 2.6 herë më e lartë krahasuar me 2005-ën. Paga mesatare e mjekut, vijoi Haldeda, bëhet 58,098 lekë ose 2.6 herë më e lartë se në 2005-ën, ndërsa paga e infermierit shkon në 35.688 lekë nga 15.44 lekë në 2005-ën.
“Të gjitha kategoritë e pagave të tjera kanë pësuar të njëjtin trend rritës, duke mbështetur me precedencë rritjen e pagave të ulëta. Rritje më të moderuar kanë pasur pagat e larta, duke mundësuar kështu ngushtim të mëtejshëm në diferencimin e pagave që ka ekzistuar në vitin 2005”, deklaroi zëvendësministri Haldeda.
Në këtë drejtim ai evidentoi se pas rritjes së pagave të miratuar, paga e kryeministrit në raport me pagën mesatare të një arsimtari shkon në raportin 1 me 4.5 nga 1 me 8.6 që ishte në vitin 2005.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›