Bashkëpunimi mes forcave politike u shërben interesave madhore të kombit
Presidenti Nishani zhvillon takime me përfaqësues të partive politike AAK, VV dhe përfaqësues të Luginës së Preshevës. Nishani drejtuesve të Luginës: “Të mos hiqet kurrë dorë nga arsimimi i brezit të ri në gjuhën shqipe”
Në vijim të agjendës zyrtare, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi dje takime të veçanta pune me Zëvendëskryetarin e AAK-së, Blerim Shala si dhe me drejtuesin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, i cili është njëkohësisht Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.
Shala dhe përfaqësuesit e AAK-së çmuan lart vizitën e suksesshme të Presidentit Nishani në Kosovë, sidomos fjalën e mbajtur dje nga Kreu i Shtetit shqiptar në Kuvendin e Kosovës si dhe mesazhet e rëndësishme që u evidentuan në të. Presidenti Nishani vlerëso rolin dhe kontributin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në skenën politike, pa harruar të vërë në dukje rolin dhe sakrificat sublime të udhëheqësve të saj gjatë luftës për liri dhe pavarësi. Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu maturinë dhe angazhimin e AAK-së në arritjet dhe përballjet me sfidat aktuale të Kosovës për konsolidimin e shtetit të ri, institucioneve të tij si dhe integrimin euro-atlantik. Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti zhvilluan një bisedë të ngrohtë e miqësore, gjatë së cilës shkëmbyen pikëpamjet e mendime lidhur me zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe të ardhmen integruese të saj në strukturat euroatlantike.
Presidenti Nishani theksoi faktin se Kosova është një realitet i pakthyeshëm sot për shtetet fqinjë të saj, për rajonin dhe Evropën, një realitet i njohur gjerësisht nga ndërkombëtarët, por, në të njëjtën kohë, është edhe një realitet i ri për qytetarët e saj. Në këtë kontekst, Presidenti Nishani vuri në dukje se përkushtimi e angazhimi i politikës dhe udhëheqjes kosovare, bashkëpunimi mes partive politike për të ofruar një vizion sa më transparent e largpamës, janë një domosdoshmëri dhe kërkesë e këtij realiteti të ri të pamohueshëm, në mënyrë që t’u shërbehet interesave të qytetarëve të Kosovës si dhe interesave madhore të kombit.
“Në këtë drejtim, u shpreh Kryetari i Shtetit Shqiptar, duke pasur parasysh edhe faktorizimin e kombit shqiptar në rajon dhe më gjerë, roli i Lëvizjes “Vetëvendosje” është i vlerësueshëm”.
Po dje, në Prishtinë Kreu i Shtetit shqiptar zhvilloi takime të veçanta me një delegacion i zgjeruar shqiptarësh nga Lugina e Preshevës si me drejtuesit e partisë Aleanca Kosova e Re, më saktësisht me nënkryetarin e saj, Ministrin e Diasporës Ibrahim Makolli.
Përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës, pasi shprehën mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme nga shteti shqiptar, kërkuan një bashkëpunim dhe përkrahje më të madhe për zgjidhjen e problemeve të tyre si: qarkullimi i lirë i qytetarëve, mungesa e perspektivës për punësimin, njohja e diplomave, diskriminimi dhe shpërngulja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Presidenti Nishani nënvizoi mirënjohjen që duhet të ketë çdo shqiptar për vetëmohimin dhe qëndresën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për mbrojtjen e identitetit shqiptar. Pasi i dëgjoi shqetësimet e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, u pajtua dhe theksoi se është vënë në dijeni për përpjekjet e Ministrisë së Arsimit për njohjen e diplomave, çështje që po shkon drejt zgjidhjes.
Presidenti Nishani apeloi që të mos hiqet kurrë dorë nga arsimi i brezit të ri në gjuhën shqipe, si një nga elementet thelbësore për ruajtjen e identitetin kombëtar. Kreu i Shtetit siguroi përfaqësuesit se institucionet shqiptare e kanë obligim për të parë mundësitë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ndërsa në takimin me drejtuesit e AKR-së, Presidenti Nishani vlerësoi punën intensive të institucioneve të Kosovës për përballimin e sfidave për ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike të Kosovës, bisedimet me Serbinë dhe integrimin euroatlantik. Njëkohësisht Kreu i Shtetit shqiptar siguroi për përkrahjen e pandërprerë dhe maksimale të shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij ndaj përpjekjeve diplomatike për rritjen e numrit të vendeve që do të njohin pavarësinë e Kosovës dhe përfaqësimin e saj në nismat dhe forumet rajonale dhe më gjerë.
Presidenti Nishani theksoi rëndësinë e këtij viti jubilar të Pavarësisë së Shqipërisë, duke shprehur bindjen se festimet do t’i përfshijnë të gjithë në Tiranë, Vlorë, Prishtinë, sepse ky 100-vjetor u takon mbarë shqiptarëve kudo ku janë.