Nishani, Petroviç: E ardhmja e Kosovës u përket qytetarëve të saj, i rëndësishëm bashkëpunimi
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi gjithashtu një takim edhe me zëvendëskryeministrin e Kosovës dhe Ministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviç.
Biseda midis Presidentit të Republikës dhe Zëvendëskryeministrit të Kosovës u përqendrua në zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Presidenti Nishani dhe Petroviç vunë në dukje angazhimin e plotë të Shqipërisë dhe Kosovës për ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të një niveli të lartë marrëdhëniesh, prioritet ky i bazuar mbi parimet e standardet, jo vetëm të fqinjësisë së mirë, por edhe ato të integrimit evropian.
Në përfundim të takimit, Presidenti Nishani dhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Sllobodan Petroviç dhanë deklarata të shkurtra për mediat e shumta të pranishme. Kryetari i Shtetit shqiptar vuri theksin te bashkëpunimi dhe bashkëjetesa si kontribute themelore për qytetarët e Kosovës.
“Pata rastin të takohem me përfaqësues të partive të ndryshme politike në Kosovë. Takime të cilat i shfrytëzova për të vlerësuar të gjitha arritjet në Kosovë gjatë kohëve të fundit. Arritje, të cilat kanë kulmuar me vendimin më të fundit për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Janë kontribute të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Janë kontribute të institucioneve, por janë kontribute edhe të përfaqësuesve të partive politike. Në takimin me Petroviç gjeta rastin të nënvizoj faktin e një shembulli pozitiv të bashkëpunimit, të bashkëjetesës dhe të kontributeve të njësuara për Kosovën, për të ardhmen e saj si dhe për të ardhmen e çdo qytetari të këtij vendi. Shpreha gjithashtu edhe vlerësimet e mia për kontributin personal të zotit Petroviç, të partisë së tij - një kontribut i cili shkon në interes të Kosovës, të qytetarëve të saj, të atyre të kombësisë serbe, por edhe të çdo qytetari tjetër të Kosovës. E ardhmja e Kosovës është një e ardhme e shkëlqyer dhe e ardhmja e Kosovës u përket gjithë qytetarëve të saj”, tha presidenti Nishani.