“Jasharajt, frymëzim për të ecur përpara”
Vizita/Presidenti Nishani nderon veprën heroike të Adem Jasharit
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, përkujtoi dhe nderoi sot veprën heroike dhe sakrificën sublime të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjarëve të tij duke vizituar Kompleksin Adem Jashari në Prekaz ku u prit nga vëllai i të ndjerit dhe anëtarë të tjerë të familjes.
Në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz u vendos një kurorë me lule në emër të Kryetarit të Shtetit shqiptar.
Në shenjë nderimi dhe respekti të thellë për komandantin legjendar Adem Jashari, Presidenti i Republikës Bujar Nishani u shpreh se, “kjo është pjesa më emocionale e vizitës. Është momenti kur ne shohim se si sakrificat e mëdha sublime që u bënë nga Komandanti Adem Jashari, nga të gjithë luftëtarët që ranë për liri, sot janë kthyer në një realitet, i cili na motivon për të ecur të gjithë përpara, për të parë nga e ardhmja dhe nga zhvillimi”, deklaroi presidenti shqiptar.
Më pas, gjatë vizitës shtetërore në Kosovë, Presidenti i Republikës dhe delegacioni që e shoqëron, mori pjesë në takimin e zhvilluar në qytetin e Pejës me drejtues të Komunës si dhe me përfaqësues të biznesit të Kosovës.