E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keqkuptimi i Flamurit me Festën e Flamurit

Antena brenda familjes

Lajmi se Kontrolli i Shtetit ka kapur shkelje në festat e Flamurit, ka shkaktuar një rrëmujë të vërtetë. I pari që e mori vesh skandalin ishte “Qukapi”, njeriu që e informon Flamurin për krimin ekonomik në përgjithësi dhe trafikun ndërkombëtar. Ky njoftoi Flamurin se Kontrolli i Shtetit ka kapur shkelje në festat e tij.

- Si në festat e mia? - tha Flamuri.

- Kështu lexova në një gazetë, - tha “Qukapi”, - që është bërë korrupsion me Festën e Flamurit. Ndoshta e kanë më ty që merresh me këto tabelat për festa, për tribunat, posterat. Se për ato zëra ishte korrupsioni.

Flamuri, i skuqur deri te veshët nga inati, mori i tërbuar në telefon Robert Çekun.

- Flamuri jam, - i tha. - Çfarë korrupsioni më keni kapur mua ju?

- Asnjë gjë, - i tha Çeku i hutuar. - As të njoh fare kush je.

- Flamuri jam, - tha. - Më njeh ti, më njeh.

- Ah po, të kam parë në fotografi në gazetë me atë gishtin, - i tha Çeku. - Me sa di unë, ne s’kemi kontrolluar gjë në PD dhe s’kemi ndonjë raport për ty.

- Po pse e kanë gazetat që kapet korrupsion në Festat e Flamurit?

- Aha, nuk është fjala për ty, por për 28 Nëntorin, - i tha Çeku. - Se në Shqipëri ajo ditë njihet për Festë të Flamurit.

- E di, e di, - i tha Flamuri, - po në PD “Festë e Flamurit” iu thonë mitingjeve që përgatis unë, ndaj jemi keqkuptuar.

- Jo, jo, s’kemi gjë më ty. E kemi me ata që janë marrë me Festën e Flamurit vjet, - i tha Çeku, - dhe ata që kanë përgatitur paradën e ushtrisë. Aty janë gjetur shkeljet.

- Ou, po dhe ato unë i kam bërë, - tha Flamuri, - por i kam bërë pa pará. Çfarë parash janë paguar për ato?

- Janë paguar shumë, - i tha Çeku. - Rreth 600 milionë të vjetra vetëm për përgatitje dhe spote. Janë shumë.

- S’ka mundësi, - tha Flamuri. - Ai burri më mori disa herë në telefon dhe më tha: “Bëji pak këto gjëra”. Unë i bëra pa pará. Për paradën fola me Fatmirin dhe i bëri Garda dhe ushtria. Asnjë njeri tjetër. Kush i paska marrë këto lekë xhanëm?

- Nuk e di, - tha. - Ka rreth 200 mijë euro fatura për spote dhe nja 300 mijë të tjera për përgatitje për paradën. Nuk i mbaj mend emrat e kompanive që i kanë fituar këto tendera direkt, por janë justifikuar si shpenzime për Festën e Flamurit.

- Po të drejtë paskan njerëzit që flasin, - tha Flamuri, - se mua me kanë parë duke bërë punën, të tjerë paskan marrë lekët.

- Nuk e di, - tha Çeku, - por ne s’kemi gjë me ty. E kemi me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes, se ato i kanë faturuar shpenzimet.

- Mirë, mirë, faleminderit, se do flas me atë burrin dhe e sqaroj unë. I kisha thënë me kohë, mo ta shoh këtë Fatmir Mediun nëpër këmbë, por s’ma hiqte. Na paska marrë dhe lejet e punës tani. Të tjerë hanë kumbulla, të tjerëve u mpihen dhëmbët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›