E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Ahmetit: “Dua të njihem me dosjen”



Tiranë - Procesi civil ndaj Krenar Ahmetit ka vijuar dje me kërkesën e avokatit të tij. Ky i fundit i kërkoi gjyqtarit Martin Deda që të njihej fillimisht me aktet e ekspertizës që ka sjellë prokuroria për klientin e tij. Vetëm pas kësaj pritet që të japë versionin e tij në lidhje me akuzat e ngritura ndaj shefit të Komisariatit të Qarkullimit Rrugor për Tiranën. Pas kësaj kërkese, trupi gjykues vendosi të shtyjë procesin në gjykim ndaj shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore të kryeqytetit, Krenar Ahmeti. Avokati mbrojtës kërkoi kohë për të njohur plotësisht dosjen në ngarkim të klientit të tij. Trupi gjykues e pranoi këtë kërkesë duke shtyrë seancën për në ditët e ardhshme. Ngjarja për të cilën akuzohet Ahmeti ndodhi më 17 maj, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë. Burime nga akuza bëjnë të ditur se atë natë prokurorja Elizabeta dhe bashkëshorti i saj, Agron Bajri, janë shoqëruar me forcë me urdhër të shefit të Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti, në Komisariatin Nr. 2 të Policisë, ku janë mbajtur të paktën tri orë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se pas incidentit të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën. Prokurorja pretendoi se automjeti ku ndodhej dhe që drejtohej nga i vëllai ishte ndaluar në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë shkak. Punonjësi i Policisë së Qarkullimit Rrugor, i cili kishte kryer ndalimin e mjetit, sipas pretendimit të saj, kishte kryer veprime që shkelnin etikën.

11 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›