E Diel, 1 Nëntor 2026

Hepatiti B, alarmi: në një muaj 16 raste të reja

05/12/2011  Dëmtimi i mëlçisë së zezë

Pëson rritje shqetësuese numri i pacientëve që manifestojnë simptomat e hepatit B, sëmundje virusale infektive, e cila dëmton mëlçinë e zezë. Autoritet shëndetësore ngrenë alarmin se vetëm në muajin e fundit në kryeqytet janë raportuar rreth 16 pacientë të rinj të prekur nga hepatiti B. Duke iu referuar kategorisë së prekur, që janë moshat mbi 20 vjeç, mjekët argumentojnë se përhapja e këtyre rasteve ka ardhur si pasojë e kryerjes së marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, si një ndër rrugët më të shpeshta të përhapjes. Drejtoresha e Autoritet Rajonal Shëndetësore, Liliana Ramasaço, ka pohuar se evidentimi i këtyre 16 rasteve të reja përbën një shifër të lartë e shqetësuese, pasi nuk ka ndodhur asnjëherë që në një hark kaq të shkurtër kohor të diagnostikohen kaq shumë raste. Pacientët e rinj të identifikuar si mbartës të këtij hepatiti nuk kishin bërë as vaksinën mbrojtëse. Sipas autoriteteve shëndetësore, rreth 1-2 për qind e të prekurve nga ky infeksion virusal rrezikojnë të bëhen mbartës kronikë të virusit, duke e ekspozuar pacientin ndaj komplikacioneve të vazhdueshme shëndetësore. Riskun më të madh për t’u prekur nga kjo sëmundje e kanë pacientët që kanë imunitet të dobët, e veçanërisht fëmijët. Njëkohësisht edhe 90 për qind të bebeve të lindura nga nënat me hepatit B bëhen bartës kronikë. "Ajo që po ndiqet me kujdes nga ana jonë janë rastet e reja të diagnostikuara me hepatit B, i cili është i evidentuar në grup-moshat mbi 20 vjeç, mosha që nuk e kanë bërë vaksinimin e radhës. Janë evidentuar 16 raste në këtë periudhë kohe. Vaksina e hepatit B mund të bëhet në të gjitha moshat. Të 16 rastet nuk e kanë bërë këtë vaksinë", - konfirmon Ramasaço. Bartësit kronikë kanë rrezik të shtuar për cirozë dhe kancer të mëlçisë. Krahas kujdesit që këta pacientë duhet të tregojnë në përdorimin e medikamenteve dhe kurave trajtuese të përcaktuara nga mjeku, pacientët duhet të mos e teprojnë me ushqimin, nuk duhet të përdorin pije alkooli si dhe të mos bëjnë punë të rënda.

Simptomat

Pas marrjes së virusit shenjat nuk shfaqen menjëherë, por pas 45-180 ditësh. Edhe gjatë kësaj kohe personi që ka marrë virusin rrezikon të infektojë persona të tjerë rreth tij. Në rrezik të madh janë ata që jetojnë me mbartësit kronikë të hepatitit B. Mjekët pohojnë se shenjat e sëmundjes nuk janë shumë specifike (të tilla mund të gjenden edhe në sëmundje të tjera). Megjithatë, në shumë rate ndodh që pacienti të ndiejë lodhje, këputje e përgjithshme, pak temperaturë, dhimbje koke, humbje oreksi, të vjella, nauze, diarre ose kapsllëk, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, dhimbje dhe ndjeshmëri mbi mëlçi, zverdhje. Por ka edhe raste kur nuk manifestohet me shenja dalluese.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›