E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artisti i Popullit Luftar Paja feston 70-vjetorin

05/12/2011  Aktivitete dhe festë në teatrin “Bylis”

FIER- 70 vjet qysh nga lindja e aktorit të madh, të papërsëritshmit, Luftar Paja. Ky i fundit i përfshirë pothuaj në të gjitha zhanret kinematografike është njohur e ka spikatur më së shumti në humor, aty ku ka rrëmbyer edhe zemrat e artdashësve shqiptar kudo që jetojnë. Sot në nder të kësaj figure, Bashkia Fier , në një atmosferë festive, ka thirrur personalitete të njohura të kinematografisë dhe artit shqiptar, intelektualë, qytetarë dhe njerëz të thjeshtë, të cilët i kanë dhënë urimet më të përzemërta aktorit të madh të humorit shqiptar në ceremoninë e organizuar në teatrin "Bylis" në Fier. Nga ana e tij vetë aktori i humorit ndihej i emocionuar dhe i nderuar nga kjo ceremoni urimi që iu rezervua. Kësaj ceremonie nuk i munguan të papriturat e befasitë emocionale që trandën jo vetëm vetë protagonistin, por edhe kolegët e tij, të gjithë të pranishmit.

Kështu në nder të aktorit ishte përgatitur një koncert festiv, një dokumentar me vlera të jashtëzakonshme ku në qendër vihej jo vetëm jeta dhe vepra e aktorit, por gjithë arritjet e përbashkëta aktoriale brenda kështjellës së madhe që sot mban emrin teatri “Bylis”, por që do të bënte jehonë pikërisht prej këtyre emrave, sikurse është Luftar Paja. Ndërkohë që emocione ka patur intervista e sjell nëpërmjet internetit prej SHBA-ve e regjisorit Pëllumb Kulla i cili ka vlerësuar kontributin e papërsëritshëm të Pajës, ndërsa theksin e ka vënë edhe tek puna e bukur që krijohej nga bashkëpunimi me Luftarin. “Luftar Paja është një ndër emrat që ka ditur të fitojë zemrat e të gjithëve. Ai ka lindur talent dhe u përsos rrugëve të artit. I uroj jetë të gjatë “ ka uruar nga larg regjistroi Kulla i cili herë pas here ka deklaruar se suksesi i Kullës ka qenë i varur nga aktori Luftar Paja”. “Jam shumë i emocionuar nga kjo që gjeta sot këtu. Nuk gjej dot fjalë. Unë gjithmonë jam shprehur se nuk kam kohë dhe mundësi të shlyej duartrokitjet e spektatorit , por edhe me këtë aktivitet sot, sërish më kanë futur në borxh. Artisti e paska të vështirë të shlyejë gjithë mirësinë që i fal artdashësi”, ka deklaruar vetë aktori Luftar Paja. Kolosi i humorit shqiptar është uruar dje edhe nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor si dhe personalitete të fushave të ndryshme. Me lot në sy aktori Fatmir Xhelili ka thënë se ai është jo vetëm një aktor i mirë, por edhe një mik dhe shok i shkëlqyer. “Në përgjithësi pjesëtarët e familjes time njihen si njerëz me humor. Që nga gjyshi, por dhe babai kishte një humor të pëlqyeshëm në fshat. Edhe nëna kishte humor. E pyesin një herë nënën se si e ka nisur Luftari këtë estradën…. E ajo u thotë: Oi, o tw keqen nëna… si e nisi, ashtu e bitisi, rrënga dënga… me ca këmborë e ca zile…”. Humorin në drejtim të punës time e gjej në popull. Që të bësh humor, është e vështirë, sepse halli im është komedia jote. Në qoftë se nuk do të gërmosh për personazhin që do të luash në skenë, do të mbetesh i thatë. Unë kam vrojtuar shumë tipa e personazhe që kanë ekzistuar dhe kam marrë atë që më ka interesuar. Kështu tek “Konitat” mora mënyrën se si lëvizë këmbët, tek një tjetër mënyrën se si dredh duhanin, tek një tjetër se si lëviz kokën. E kështu, ca e nga ca, i bëj kostumin vetes sime”-ka pohuar Luftar Paja, ndërsa kur e pyesim për rolet e tij të panumërta në teatër dhe kinematografi që tashmë kanë arritur rreth 700 role, aktori vë buzën në gaz dhe pohon se çdo rol ka vështirësi. Aktori i madh, Kadri Roshi, e konsideronte si një shkollë për të kuptuar çfarë është paradoksi. “Ai bëhet shkollë për tërë kombin, për tërë artin skenik shqiptar”, thoshte ai. Aurora Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›