“Heqja e Heronjve të Vigut, vrau gjeninë artistike të Hadërit”
alma mileNjeriu që jetësoi gurin, iku nga kjo jetë duke marrë me vete pengje. Skulptori i Popullit, Shaban Halil Hadëri, u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë, që ia kufizoi krijimtarinë artistike. Dje, në mesditë, në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, u zhvillua dje ceremonia mortore. Miqtë, kolegët, ishin të gjithë aty, në oborrin e galerisë, për t’i dhënë lamtumirën e fundit këtij njeri të pasionuar pas artit, pas punës, njërit prej baballarëve të skulpturës shqiptare. Një mori veprash madhështore, të vendosura në sheshet kryesore të disa prej qyteteve shqiptare, e bënin të ndihej krenar për punën e tij, skulptori iku jo pa brenga nga kjo jetë. Dhe bëhet fjalë pikërisht për një prej veprave që ai ka realizuar, “Pesë heronjtë e Vigut”. Kjo vepër, e cila qëndronte në qendër të Shkodrës u hoq prej aty, për t’u vendosur pranë varrezave të dëshmorëve të këtij qyteti. Heqja e këtij monumenti, i kthyer edhe si një pikë referimi për vetë shkodranët, u përjetua jo pa dhimbje nga skulptori Hadëri. Miku i tij, skulptori Muntaz Dhrami, me të cilin kanë realizuar disa prej monumenteve thotë se, zhvendosja e “Pesë heronjve të Vigut”, ishte një goditje shumë e fortë për të. “E përjetoi me dhimbje heqjen e monumentit nga qendra e Shkodrës. Unë i kam qëndruar pranë deri në momentin e fundit të jetës dhe ndonëse ai nuk arrinte të artikulonte mirë fjalët, u prek shumë prej kësaj ngjarjeje. Ishte një goditje që e uli shumë moralisht, i rrinte mendja në trajtimin që iu bë veprës monumentale të “Pesë Heronjve të Vigut”. E vranë gjeninë artistike të Shabanit”, thotë Dhrami, teksa shton se vdekja e tij është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për artin shqiptar, të cilit i shërbeu. Në një prej intervistave të fundit që skulptori ka dhënë, lëshoi një thirrje, që të mos e hiqnin monumentin nga vendi ku qëndroi për dekada. “Mos! 1000 herë mos! Mos e hiqni atë skulpturë, përmendore vigane. Ajo nuk më përket mua. Ajo i përket qytetit me kulturë të Shkodrës. Ajo skulpturë është pjesë e historisë së saj. Pjesë e arkitekturës së saj. Ajo tashmë është bërë një pjesë e trupit të Shkodrës. Afërsisht 40 vjet jetë. Gjysmë shekulli mes njerëzve, popullit të Shkodrës. Jo se është vepra ime. Ajo është pjesë e historisë së një populli. Vetëm për të bërë bazamentin e saj erdhën dhe punuan 5 ustallarë nga Korça, ku gurët u morën nga gurorja e Shkodrës. 20 km larg. Merrej guri- mermer për bazamentin. Një bazament i shkëlqyer. Ata punuan vetëm për bazamentin 8 muaj. Bazamenti ishte mbi 4 metër. A mund të hiqet një vepër e tillë?”. Por thirrja e tij ra në vesh të shurdhët. Bashkë me monumentin, iu duk se shkulën një pjesë të shpirtit të tij. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit nuk munguan edhe politikanët. Kryeministri Sali Berisha u shpreh se vdekjen e tij, Shqipëria humbi një kolos të artit, por edhe një njeri shembullor. Kreu i opozitës, Edi Rama tha se kjo është një humbje jo vetëm sepse “ai përfaqëson një artist, një edukator të shumë breza artistësh, por qoftë dhe për atë që përbën në kujtimet e jetës sime”. Së bashku me skulptorët Kristaq Rama dhe Muntaz Dhrami, realizoi disa nga veprat më monumentale në Shqipëri, si “Monumentin e Pavarësisë në Vlorë, (1972), Monumentin “Nënë Shqipëri”, Relievin e kushtuar Luftës së vitit 1920, etj. Ngushëllime familjes Hadëri i shkuan edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili e quajti të paharruar veprën e tij. Shaban Hadëri lindi më 28 mars 1928 në Papavli të Delvinës. Së bashku me të atin, Halilin, mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë nën drejtimin e artistëve të njohur, si Paskali, Buza, Zajmi, apo Kaceli. Në vitet 1950 -1952 ishte drejtori i Pinakotekës së Tiranës, e cila në vitin 1954 do merrte emrin Galeria e Arteve. Studimet e larta për skulpturë i kreu në Institutin e Arteve të Bukura “RJEPIN” në Leningrad, në ateliene e pedagogut Lishev. Diploma e Hadërit me titull “Shokët” u ekspozua në Moskë, në ekspozitën e 13 vendeve socialiste të kohës. Me kthimin në Atdhe, ai do të bëhej një prej pedagogëve të parë në Institutin e Lartë të Arteve të Tiranës. Pas viteve 1990, artisti pësoi një paralizë parciale, por kjo nuk e ndali në krijimtarinë e tij, duke realizuar punime në përmasa të vogla dhe kryesisht ju kushtua dhe pasionit të tij pikturës, duke realizuar natyra të qeta, peizazhe etj. Për kontributin e dhënë në artin shqiptar është nderuar me çmime të ndryshme, si “Skulptor i Merituar”, “Skulptor i Popullit”, Urdhrin “Flamuri i Kuq” i Klasit I, çmimin e Republikës – Klasi i I. Vepra Firmën e tij mbajnë veprat: “Monumenti i Pavarësisë” në Vlorë, Monumenti “Nënë Shqipëri”, Relievi kushtuar Luftës së vitit 1920, relievi i Kryeministrisë, “Pesë Heronjtë e Vigut”, “Isa Boletini”, por edhe monumenti i Enver Hoxhës, vendosur në qendër të Tiranës dhe rrëzuar gjatë lëvizjes antikomuniste. Ndër të tjera, në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen 27 punime të autorit, portrete dhe kompozime në dru, gips, bronx dhe disa punime në pikturë të periudhës së studimeve në Akademinë e Lenigradit dhe periudha pas saj (1958-1982). Vepra e parë në skulpturë, pjesë e fondit të GKA-së i takon vitit 1955 me titull “Piktor kinez” në mermer. Të tjera vepra janë “Portet poeti”, “Luftëtari i lirisë 1912”, “Sportisti”, “Portret gruaje”, “Punëtori i Shangait”, “Vajza nga çindao”, “Bariu”, “Punëtori”, “Kapedani i Delvinës”, “Portret bariu”, etj.