Rama në PE: Një nga arsyet e humbjes së Berishës ishte edhe nacionalizmi
Vetëm një ditë pas marrjes zyrtarisht të detyrës kryeministri Edi Rama së bashku me një pjesë të ministrave kanë udhëtuar drejt Brukselit në një vizitë dy ditore. Vizita në fjalë ishte bërë e ditur, ditë më parë pas takimit që Rama zhvilloi me ambasadorin e Bashkimit Evropian në vendin tonë, Ettore Sequi. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Rama do të zhvillojë takime me përfaqësuesit më të lartë të BE-së.
Fjala e Ramës
Në fjalën e mbajtur dje përpara Komitetit të Jashtëm në Parlamentin Europian, kryeministri Edi Rama tha se sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe politika e jashtme janë disa nga prioritetet e qeverisë së re. Prioritetet tona janë reformat në rrugën e sundimit të ligjit, konkretisht në luftën kundër korrupsionit. Ne jemi gati për të punuar për ndryshimin. Ndërsa koncepti ynë për politikën e jashtme është të kemi zero probleme me fqinjët, u shpreh Rama. Më tej, kryeministri ju përgjigje pyetjeve të eurodeputetëve për një sërë çështjesh.
Nacionalizmi
Kryeministri Rama tha se nacionalizmi në Shqipëri nuk do të bëhet asnjë herë pengesë në marrëdhëniet me fqinjët. Në zgjedhjet e 23 qershorit nacionalizmi nuk mori asnjë votë. Forcat nacionaliste që dolën në skenë nuk u futën në Parlament. Një nga arsyet që PD mori një rezultat kaq të keq është sepse përdori retorikë nacionaliste. Gjithashtu, nacionalizmi nuk do të jetë asnjëherë pengesë për të punuar së bashku mes shqiptarëve dhe serbëve, malazezëve, kroatëve, italianëve, grekëve e turqve, tha Rama.
Korrupsioni
Në lidhje me korrupsionin kryeministri Rama u premtoi eurodeputetëve se mazhoranca e re do të ndërmarrë disa reforma të thella për të kufizuar këtë problem. Përgjigja më e mirë ndaj këtyre fenomeneve është modernizimi i institucioneve të shtetit. Korrupsioni endemik nga i cili vuan Shqipëria ka të bëjë me mungesën e institucioneve shtetërore. Reformat do të jenë të thella, por duhet të dihet se mazhoranca jonë është në limitin e një shumice të cilësuar për të miratuar të gjitha reformat e integrimit. Unë do të kërkoj edhe një votë më shumë, që nuk është e vështirë të gjendet, me qëllim që reformat ti bëjmë së bashku me opozitën, deklaroi kryeministri, Edi Rama.
Rama takon Schultz: Do bëjmë reformat e kërkuara
Në ditën e parë të vizitës së tij në Bruksel, kryeministri Rama u takuan edhe me presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schultz. Pas takimit, Schultz ka mirëpritur prioritetet e prezantuara nga kryeministri Rama, duke u shprehur i inkurajuar. Jemi të kënaqur me ato që kemi dëgjuar. Janë inkurajuese. Me zotin Rama kemi rënë dakord që të kryej një vizitë në Shqipëri. E falenderoj për ftesën dhe do të takohemi së shpejti edhe në Tiranë, tha Schultz. Ndërsa kryeministri Rama nga ana e tij tha se shumica e re e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit do të realizojë reformat në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet me të drejta të plota në BE. Unë erdha këtu në Bruksel në ditën kur u hapën shkollat. Ne erdhëm në Bruksel si njerëz që duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë për tu futur si anëtar me të drejta të plota në BE. Sigurova presidentin Schultz dhe komisionin e jashtëm të PE se do të bëjmë ndryshimet e duhura. Ne do ti japim opozitës atë që na u mohua neve si opozitë dhe do kryejmë reformat në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mandati ynë është për të bërë ndryshime, deklaroi Rama.
Axhenda e takimeve të kryeministrit Rama në Bruksel
1. Takim me Presidentin e Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso
2. Takim me Presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy
3. Takim me Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schulz,
4. Takim me Përfaqësuesen e Bashkimit Evropian për politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton
5. Takim me Komisionieri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle