KLD nis kontrollin në Gjykatën e Durrësit, tërheq dosjen gjyqësore të Ilir Xhakjes
Prokuroria e Tiranës nis hetimet ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku. Dje në mesditë Gjykata e Krimeve të rënda dha masën e sigurisë “arrest me burg” për 38 vjeçarin Xhakja
Këshilli i Lartë të Drejtësisë ka nisur dje verifikimin e dosjes së Ilir Xhakjes, 38-vjeçarit i cili akuzohet për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiri. Për tre orë, tre inspektorë të KLD-së kanë kryer kontroll në Gjykatën e Durrësit ku kanë tërhequr edhe dosjet gjyqësore të Ilir Xhakjes për t’i marrë ato nën shqyrtim. Ndërsa Prokuroria e Tiranës ka nisur një procedim penal ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Durrësit, Neritan Tabaku, i cili liroi nga burgu autorin e vrasjes së kryekomisarit të Shijakut. Sipas burimeve të prokurorisë, Tabaku do të hetohet për “shpërdorim detyre”. Kjo, duke qenë se për një vit e gjysmë, ai nuk zbardhi vendimin për lirimin e Xhakjes, çka pengoi Gjykatën e Apelit që të apelonte vendimin për lirimin e tij. Të premten e kaluar, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa kërkoi të hetohet procedura e ndjekur për lirimin e Ilir Xhakjas, vendim i cili është marrë në mbledhjen e KLD-së.
Ilir Xhakja është një person me precedentë penal dhe i skeduar nga Policia për disa vepra penale. Ai rezulton i dënuar për vrasje nga gjykatat shqiptare të shkallës së parë e shkallës së dytë, por me një vendim të datës 27 mars 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda, e dënoi Ilir Xhakjen me 21 vite burg për akuzën e vrasjes, ndërsa më pas çështja pushoi dhe gjykata e rrethit gjyqësor Durrës, e shpall Ilir Xhakjen të pafajshëm, duke e liruar nga burgi në vitin 2011.
Gjykata e Krimeve të Rënda: Arrest me burg për Ilir Xhakjen
Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka dhënë dje masën e sigurisë “arrest me burg” për Ilir Xhakjen, 38-vjeçarin mbi të cilin rëndojnë 4 akuza, mes tyre edhe ajo e vrasjes së kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiri. Seanca gjyqësore ndaj Xhakjes është zhvilluar me dyer të mbyllura ndërsa prokuroria ka paraqitur edhe provat e hetimit në ngarkim të 38-vjeçarit. Ilir Xhakja është shoqëruar nga Durrësi drejt Tiranës nën masa të rrepta sigurie nga forcat RENEA dhe policia e Durrësit. Ngjarja e rëndë u shënua pasditen e së enjtes ku Xhakja ekzekutoi me 5 plumba kryekomisarin Adem Tahiri, pas një debati mes tij dhe nipit të autorit të vrasjes Ledio Krasnaj, 17-vjeç. Xhakja, ka qëlluar mbi komisarin Tahiri, duke e lënë atë të vdekur në vend ndërsa plumbat plagosën në këmbë edhe një kalimtare. Ndërkohë forcat e shumta të policisë janë duke kryer aksione për kapjen e autorit të dytë të dyshuar të vrasjes së komisar Tahirit, nipin e tij 17 vjeçar Ledio Krasnaj i cili është shpallur në kërkim nga policia.
Vrasja e shefit të Policisë së Shijakut
Ish-kreu i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, u ekzekutua rreth orës 18.00 të datës 13 shtator, në fshatin Katund Sukth, teksa ishte duke ushtruar kontroll në zonë. Sipas policisë, ai ndaloi një makinë të cilën e drejtonte Ledjan Krasnaj, 17 vjeç, dhe urdhëroi shoqërimin e tij në Komisariat, për shkak se kishte mangësi në dokumentacion. Nga hetimet, pretendon prokuroria, ai ka urdhëruar shoferin e tij, Fatmir Hoxha, të ngjitet në makinë me Krasnajn dhe të mbërrinin në Komisariat. Në këto momente ka mbërritur Ilir Xhakja, person me precedentë të theksuar kriminalë, dhe pasi është konfliktuar ashpër me shoferin, ka nxjerrë armën e tij tip pistoletë dhe ka qëlluar plot 5 herë kryekomisarin Adem Tahiraj. Babai i tre fëmijëve ka gjetur vdekjen në vend, ndërsa ka mbetur e plagosur dhe një 67-vjeçare, që konsiderohet si dëshmitare kyçe që pritet të hedhë dritë mbi ngjarjen.