Heqja e imunitetit PD dhe aleatet mbledhin firmat

Debatet për kufizimin e imunitetit, një ndër kërkesat e Bashkimit Europian në kuadër të rekomandimeve për statusin e kandidatit, kalon në një hap konkret. Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë mbledhur firmat për heqjen e imunitetit, në një nismë për ndryshimin e Kushtetutës e cila është depozituar në Parlament. Javën e ardhshme nisma do të shqyrtohet në komisione dhe është parashikuar të miratohet dhe në seancë plenare. Pritet për t’u parë me ç’reagim do ta përcjellë opozita nismën e mazhorancës, ndërsa për miratimin e të cilës duhen edhe votat e pakicës parlamentare. Partia Demokratike që prej ardhjes në pushtet ka hedhur hapa konkretë për kufizimin e imunitetit të deputetëve, fillimisht me anë të një projekt-vendimi, i cili i shkoi për opinion komisionit të Venecias. Ky i fundit vlerësonte nismën, por e konsideronte të rëndësishëm edhe pëlqimin e opozitës në parlament. Përpjekja e radhës e mazhorancës ishte vitin e shkuar, ku përmes një aneksi në rregulloren e Kuvendit deputetët e mazhorancës lanë në mënyrë vullnetare imunitetin edhe ky nëj hap pasi opozita refuzoi të angazhohej ën një nismë të përbashkët me mazhorancën. Nisma synon kufizimin e imunitetit jo vetëm për deputetët, por për të gjithë zyrtarët që e gëzojnë atë si nëj masë e fortë antikorrupsion. Të mërkurën Kryeministri përsëriti dhe një herë apelin ndaj kreut të opozitës që të miratohet kufizimi i imunitetit, si një nismë që bëhet për barazinë e zyrtarëve me qytetarët shqiptarë para ligjit.