“Heqja e imunitetit të gjyqtarëve, në bazë të parashikimit të Kushtetutës”
Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, flet për thellimin e reformave në sistemin e drejtësisë
TIRANE - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, konfirmoi dje vazhdimin dhe thellimin e reformës në sistemin e drejtësisë në funksion të realizimit të standardeve bashkëkohore.
Duke vlerësuar ecurinë e deritanishme të kësaj reforme, Alibeaj bëri të ditur se, nisma të tjera ligjore do të ndërmerren nga ministria që ai drejton për mirëfunksionimin e sistemit.
Për Ministrin e Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, ndër arritjet e kësaj reforme janë miratimi gjatë vitit që iku, i një sërë ligjesh shumë të rëndësishme si ai “Për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor” apo ligji “Për Prokurorinë”, të cilat theksoi ai, “janë ligje serioze tepër të rëndësishme dhe të dobishme për sistemin e drejtësisë”.
”Procesi ishte i tillë që pati edhe një moral të përbashkët politik. Që një reforme të konsiderohet serioze dhe jetë gjatë si dhe për të qenë e suksesshme duhet të ketë jo vetëm sofistikimin teknik, por edhe këtë moral, pra të gjithëpranimit të frymës së re reformuese”, vlerësoi më tej Ministri Alibeaj.
Lidhur me këtë reformë, jetike për interesat e vendit në proceset integruese në strukturat Euroatlantike, Ministri i Drejtësisë duke theksuar se është vetëm fillimi, shprehu besimin që, fryma e re e saj është injektuar si në ambientin politik edhe në atë juridik. “Vetëm kështu reforma në këtë sistem do të mund të arrijë standardet e kërkuara”, tha ai.
Ministri Enkelejd Alibeaj u ndal më tej edhe në strategjinë e kësaj ministrie dhe nismat ligjore që do të ndërmerren për vitin në vijim, duke deklaruar se ndryshe nga viti i kaluar, ku nismat ligjore ishin fokusuar përgjithësisht në statusin e zyrtarit si Gjyqtarit, Prokurorit, Avokatit, iniciativat e reja ligjore do të përqendrohen te statuti i shërbimit të strukturave të këtij sistemi. Si për ta ilustruar këtë, ministri Alibeaj përmendi ndër ligjet që do të reformohen atë për Kodin e Procedurës Civile, dhe Kodin e Procedurës Penale, që siç theksoi ai do ta bëjnë sistemin e drejtësisë më të prekshëm për publikun, duke rritur kësisoj transparencën e tij. Duke bërë një ekspoze të shkurtër të punës së bërë në këtë drejtim dhe asaj që po bëhet ministri theksoi se një pjesë e ligjeve janë draftuar, të tjerë janë depozituar ne Parlament si ligji për Gjykatat Administrative.
Si nisma të reja ligjore, Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj veçoi ligjin, për Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo ligjin për bashkëpunimin ndërgjyqësor mes Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe Ministrinë e Drejtësisë, zbatimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me shtetet e tjera për ekstradimet, njohjet e vendimeve penale. Gjithashtu, Alibeaj përmendi edhe nismën për reformimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, një sektor tepër i rëndësishëm.
Për sa i takon çështjes së imunitetit të gjyqtarëve, ministri rikonfirmoi idenë për ridimensionimin e konceptit të imunitetit të funksionarëve.
“Sigurisht që, një hap është bërë, tha ai duke përmendur ligjin për Prokurorinë, ku koncepti i imunitetit tashmë është shfuqizuar. Për gjyqtarët është ndryshe. Ligji ‘Për organizimin dhe funksionimin e Pushtetit Gjyqësor’ parashikon dispozitat e imunitetit të tyre, e cila është një parashikim ligjor që bazën e ka te Kushtetuta. Për gjyqtarët, koncepti i imuniteti është i shkruar në Kushtetute, çka do të thotë se nëse do të ketë tentativë dhe duhet të ketë, për ridimensionimin e konceptit të imunitetit është e domosdoshme që kjo të reflektohet në ligjet respektive”, tha ai.
Për sa i përket impaktit të kësaj reforme, Ministri Alibeaj tha se, të gjithë mund të duartrokasim kur, arrijmë të miratojmë ligje të mira dhe kjo ka ndodhur në ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor, i cili ka sjellë standarde shumë të mira. Por, suksesi do të mund të vlerësohet vetëm atëherë kur, ligji të njohë zbatim konkret.
“Elementet e parë te reformës janë të dukshme dhe të prekshme, tha ministri, duke iu referuar këtij ligji, ku është realizuar ndarja e procesit të dhënies së drejtësisë nga gjyqtarët, nga puna administrative në Gjykata”.
Sipas tij, sot në Gjykatat e Shkallës së Parë nuk ndodh që proceset të mos fillojnë në orar dhe kjo për Ministrin është tregues që serioziteti i drejtësisë fillon në korrektësinë që funksionarët duhet të kenë ndaj publikut, në respektimin e tyre.
Nga ana tjetër Ministri i Drejtësisë shprehu rezerva, “për cilësinë e vendimmarrjes nga Gjykatat, duke pretenduar se, cilësia e vendimmarrjes nuk ka ndryshim”.
Në këtë kontekst ai, mbështeti idenë për një reformim të brendshëm të gjyqësorit, pra gjyqtarët e Shkallës së Parë të monitorohen nga ata të Shkallës së Apelit e më pas nga Gjykata e Lartë.
Në këtë kontekst, ai theksoi se, Ministria e Drejtësisë është fokusuar që, përmes ligjeve të përcaktojë qartë përgjegjësitë e funksionarëve në funksion të eliminimit të praktikave abuzuese, por edhe në promovimin e personave me integritet në sistemin gjyqësor.