“Liria ekonomike në Shqipëri mbi mesataren botërore, rritja e saj e rëndësishme në një rajon problematik”
Raporti vjetor mbi liritë ekonomike. “Heritage Foundations” dhe “Wall Street Journal” rendisin vendin tonë të 27-in në Evropë dhe të 62-in në Botë
Raporti vjetor i organizatës prestigjioze e rendit Shqipërinë më lart se pjesa dërrmuese e vendeve të rajonit dhe disa anëtarëve më peshë të Bashkimit Evropian. Ndërsa vlerëson reformat në fushën fiskale, favorizimin e investimeve të huaja, raporti rekomandon që të bëhet më shumë në fushën e respektimit të së drejtës së pronës dhe sidomos luftës ndaj fenomenit të korrupsionit.
TIRANE - Reformat e suksesshme ekonomike që ka ndërmarrë qeveria Berisha vitet e fundit vazhdojnë që të marrin vlerësime mjaft pozitive nga organizatat prestigjioze ndërkombëtare. Pas vlerësimit fundvitin e kaluar nga ana e Bankës Botërore, këtë herë janë “Heritage Foundations” dhe “Wall Street Journal”, në raportin e tyre vjetor në lidhje me liritë ekonomike të për vitin 2008, e rendit Shqipërinë në vendin e 27 në mes 43 vendeve evropiane dhe të 62-in në botë mes 179 vendeve të marra gjithsej në studim për sa i përket lirive ekonomike dhe klimës se biznesit në Shqipëri me një indeks të përgjithshëm prej 63.7 pikësh. Vetëm nga një vit më parë ky indeks është rritur me 1.3 pikë.
Reformat në fushën fiskale të filluara që në vjeshtë të vitit 2005, duke se kanë dhënë efektin e tyre të dukshëm në këtë klasifikim impresionues, në të cilën vendi ynë lë pas, më përjashtim të Bullgarisë që ndodhet një vend më lart si dhe Hungarisë që ndodhet 5 vende më lart, të gjitha vendet e rajonit, madje edhe atyre që prej kohësh janë pjesë e bashkimit Evropian si Franca (64), Rumania (65), Sllovenia (68), Turqia (75), Italia (76), Greqia (81), Polonia (82), etj. Për sa i përket vendeve të rajonit, sipas këtij raporti, në klasifikimin botëror, Maqedonia renditet në vend të 78, Mali i Zi në vend të 94, Serbia në të 109, Kroacia në 116, dhe Bosnje-Hercegovina në vend të 134.
Sipas raporti vjetor të “Heritage Foundations” dhe “Wall Street Journal”, vendi ynë renditet mjaft mirë për sa i përket lirisë, tregtare asaj fiskale, lirisë qeveritare, lirisë monetare, lirisë së investimeve të huaja, lirisë së sektorit financiar me indekse që luhaten mes 67- 92.8 pikë.
Ulja e vazhdueshme e taksave e ka renditur vendin tonë 18 pikë më mirë se mesatarja e 179 vendeve të botës për lirinë fiskale. Po kështu, masat e marra nga qeveria siç është edhe regjistrimi i biznesit në një sportel unik, ka përmirësuar me 3 pikë lirinë e biznesit në vend.
Raporti thotë se kohët e fundit Shqipëria ka adoptuar masën 10 për qind të taksimit si për individët, ashtu dhe për sipërmarrjet, ndërkohë që qeveria është përqendruar në zhvillimin e një strategjie ekonomike që ushqehet nga sektori privat.
Sipas raportit, niveli konkurrues i taksave rriti stimulin e sipërmarrësve dhe punëtorëve. Shpenzimet e qeverisë, përfshirë konsumet dhe pagesat e udhëtimeve, janë të moderuara. Gjatë vitit të kaluar qeveria ka shpenzuar 28.5 për qind të PBB-së. Inflacioni është relativisht i ulët, mesatarisht 2.7 për qind ndërmjet viteve 2005 dhe 2007.
Raporti i “Heritage Foundations” dhe “Wall Street Journal” vëren më tej se, qeveria vijon të mbikëqyrë çmimet përmes agjencive rregullatore. Firmat vendase dhe të huaja trajtohen njësoj nga ligji dhe pothuajse të gjithë sektorët janë të hapur për investime të huaja.
Raporti thotë se të huajt nuk ndalohen të blejnë apo zotërojnë prona.
Raporti i “Heritage Foundations” dhe “Wall Street Journal” vëren gjithashtu se, sektori financiar është rritur shpejt gjatë viteve të fundit, ku vihet re dominimi i bankave të huaja me 90 për qind të të gjitha aseteve në vitin 2007, ndërkohë që në vitin 2003 pothuajse arrinin 50 për qind.
Raporti shprehet se liria ekonomike në Shqipëri pozicionohet mbi mesataren botërore dhe është rritur gjatë viteve, një arritje e rëndësishme në një rajon të karakterizuar nga mungesa e stabilitetit dhe fragmentarizimet politike.
Gjithashtu, në raport është vlerësuar edhe lufta kundër korrupsionit, ndërsa problematike mbetet çështja e pronave.
Në bazë të metodologjisë se vlerësimit varion nga 0 më pak i lirë në 100 pikë me më shumë liri ekonomike. Mes këtij klasifikimi, vendet ndahen në 2 grupime ato që kanë një liri ekonomike gati normale me indeks të përgjithshëm nga 50-100 në një kohë që pjesa tjetër e vendeve me liri të cunguar ekonomike kapin një indeks mes 0-50 pikësh.
“Heretich Foundation” ka 15 vjet që kryen studime të tilla për ekonominë në mbarë botën.
Gjatë vitit të kaluar Shqipëria jo pak herë ka qenë në vëmendjen e organizatave të fuqishme ndërkombëtare, institucioneve studimore, revistave prestigjioze ekonomike dhe institucioneve financiare për reformat tepër të guximshme të ndërmarra, të cilat kanë sjellë një përmirësim të klimës së biznesit dhe reduktim të barrierave administrative dhe fiskale.
Dy ditë më parë, raporti i “Freedom House” vlerëson përpjekjet e Shqipërisë në përmirësimin e lirive politike dhe atyre njerëzore, duke e vënë vendin tonë në të njëjtat kuota me vendet e tjera të rajonit.
Liria e biznesit 67.0
Liria tregtisë 75.8
Liria fiskale 92.8
Shpenzimet qeveritare 75.6
Liria monetare 79.6
Liria investimeve 70.0
Liria financiare 70.0
E drejta mbi pronën 30.0
Liria nga korrupsioni 29.0
Liria e punës 47.2