“Opozita të njohë progresin e vendit, i cili ishte i papërfytyrueshëm para 2-3 vjetësh për shqiptarët”
Ministri i Jashtëm Lulzim Basha komenton Raportin e Progresit për marrëdhëniet me BE-në, që dorëzohet sot në Bruksel
TIRANE - Sot më 14 janar, në Bruksel qeveria shqiptare do të paraqes raportin e progresit në marrëdhëniet me BE-në për të mundësuar heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.
Raporti është hapi i dytë që qeveria shqiptare hedh në kuadrin e përmbushjes se detyrimeve që rrjedhin nga bashkëpunimi me BE-në për heqjen e vizave.
Në muajin shtator të vitit të kaluar, Shqipëria së bashku me disa vende të tjera të Europës Juglindore paraqitën raportet e tyre.
Zyrtarë të lartë thonë se Shqipëria ka plotësuar kushtet vendosura nga BE.
Ministri i Jashtëm shqiptar Lulzim Basha, tha për BBC-në se raporti që do të dorëzohet paraqet në mënyrë përgjithësuese tablonë më të plotë mbi të gjithë çështjet që Brukseli po merr në shqyrtim dhe do t’ia paraqes Këshillit të Ministrave të BE-së, i cili më tej pritet të përcaktojë rrjedhën e procesit të heqjes së vizave për qytetarët shqiptare.
Sipas zotit Basha, Shqipëria i ka plotësuar kushtet e vëna nga BE, ndërsa shprehu besimin e plotë se “ky vit do të jetë vendimtar për këtë hap historik”.
Shefi i diplomacisë shqiptare, Basha, ndonëse nuk jep datë, shpreson në një vendim të shpejtë nga Bashkimi Evropian.
Ai i bëri thirrje opozitës shqiptare që “përtej retorikës elektorale të njohë progresin e vendit”, ndërsa tha se “ procesi ka ecur me një shpejtësi të papërfytyruar para dy-tre vjetësh nga shqiptarët”.
Dy ditë më parë, Komiteti Ndërministror për liberalizimin e vizave, u mblodh nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha për të miratuar raportin vjetor për ecurinë e procesit të heqjes së vizave më vendet e Bashkimit Evropian. Raporti, i cili do të dorëzohet sot në Bruksel, përmban të gjitha hapat e hedhur nga institucionet shtetërore në përmbushje të detyrimeve, që vendi ynë ka për të arritur heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, që udhëtojnë në vendet e BE-së.
Sipas kryeministrit Berisha procesi ka ecuri pozitive, dhe një hap i rëndësishëm i hedhur në këtë drejtim është dhe nisja ditën e djeshme të aplikimit për pajisjen e shtetasve më karta identiteti, kusht kryesor ky për procesin e liberalizimit të vizave.