E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja sikurse dje në pushet, edhe sot në opozitë, i numëron shqiptarët politikisht edhe të vdekur”

Ministria e Brendshme denoncon spekulimin me shifrat e vetëvrasjeve

TIRANE - Ministria e Brendshme ka hedhur dje poshtë akuzat e nënkryetarit të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, në lidhje me vrasjet dhe vetëvrasjet në Shqipëri duke përdorur shifra të pavërteta.
“Tentativa e spekulimit me fatkeqësitë e individëve të veçantë, duke përhapur perceptimin e rëndë të vdekjes, synon traumatizmin psikologjik të shoqërisë. Shifrat e sajuara në mënyrë të papërgjegjshme nuk do të arrijnë aspak të nxijnë imazhin e një realiteti tërësisht të ndryshuar nga kjo qeveri gjatë këtyre viteve. Nëse gjatë vitit 2005 ka pasur 6 vrasje për 100 mijë banorë, në vitin 2008 kjo shifër u ul në 2.3 vrasje për 100 mijë banorë”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja.
Për Konjën, spekulimi politik me tragjeditë e qytetarëve të veçantë të këtij vendi, dëshmon qartë se forca më e madhe e opozitës nuk po ndahet dot nga nekropolitika.
“E vërteta është se kjo qeveri po i numëron të gjithë shqiptarët, pa dallim, ekonomikisht dhe elektronikisht, kurse qeverisja socialiste e djeshme dhe sot opozitë, i ka numëruar dhe vijon t’i numërojë politikisht. Për më tepër, edhe të vdekur”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›