Heqja e letërsisë nga shkollat e mesme
Dhurata Shehri*
Një muaj më parë Ministria e Arsimit organizoi një grup pune për shqyrtimin e programeve të kurrikulës së re të arsimit të mesëm për lëndën gjuhë shqipe dhe letërsi. Në cilësinë e përfaqësueses së Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, universiteti më i madh në vend, i vetmi që përgatit mësues për shkollat e mesme, isha e ftuar në këtë grup pune. Në fakt, prania ime ishte e panevojshme, sepse në programin e shkollave të mesme të Shqipërisë letërsia ishte zhdukur. Programi i titulluar “Gjuha shqipe dhe letërsia” mund të emërtohej fare mirë gjuhë shqipe (çka na e konfirmoi edhe një anëtare e grupit hartues të programit) sepse ai përmbushte standardet e një programi për një lëndë gjuhe të aplikuar me prirje komunikimi. Letërsia, ose më saktë “tekstet letrare” që nuk duhet t’i kalonin 3 faqet, përbënin vetëm 40 % të korpusit të teksteve që do të shërbenin si ilustruese të “gjuhës së aplikuar”. Por pesha e letërsisë zvogëlohet edhe më shumë kur bëhet fjalë për objektivat e këtij programi, peshë e cila në raport me objektivat e tjera zvogëlohet dhjetëfish. Veprat, gjinitë, rrymat, autorët a periudhat letrare hamendësohet se do të njihen, studiohen, përvetësohen, analizohen, vlerësohen, kritikohen vetëm përmes 1-2 librash në vit. Nga tre të detyrueshëm për t’u lexuar në vit nga nxënësi, jo të gjithë duhet të jenë letrarë. Duke e krahasuar me programet e klasave pararendëse të tetë dhe të nëntë, na u duk se ky program ishte një hap prapa.
Hartuesit e këtij programi kanë deklaruar se kanë shfrytëzuar dhe ndjekur “gjithë përvojën botërore”. Në fakt ata kanë marrë një model amerikan, më saktë një nga modelet e shumta amerikane ndoshta atë të New Jersy-t ku vazhdon studimet doktorate njëra nga hartuesit e programit. Ne e krahasuam këtë program me atë të vendeve të rajonit, e më pas me ato të Italisë, Francës, Gjermanisë e madje edhe me disa modele të SHBA-së dhe nuk na u duk ai modeli më i mirë për t’u imituar. Gjëkundi nuk zhdukej letërsia, ndonëse konceptimi i studimit të saj përmes teksteve mbetej i njëjtë. Ndryshonin këndvështrimet, diku studioheshin më bazë rrymash, diku në bazë autorësh, diku studimi ishte tematik. Më tej hartuesit e programit shqiptar kanë deklaruar gjithashtu se kanë ndërtuar një program origjinal duke mos imituar asnjë model, por duke u bazuar në karakteristikat kombëtare tonat. Po a nuk është kultura shqipe, si në përgjithësi kulturat e vogla një kulturë me bazë shkrimin, letërsinë. Ajo nuk ka pasur e as nuk do të mund të ketë dominante as kinemanë, as muzikën, as pikturën e as teatrin. Kështu, na bëhet e pakuptimtë arsyeja pse hartuesit e këtij programi jo vetëm e kanë zhdukur letërsinë, por as dëgjojnë ta rivendosin në vendin që i takon në formimin e nxënësve të shkollave të mesme të të gjithë Shqipërisë. Po ashtu e pakuptimtë dhe anakronike na duket edhe lista e autorëve nga të cilat mund të shkëputeshin edhe ato pak fragmente “të bekuara”. Nuk kuptohet mbi ç’kritere janë përzgjedhur veprat e autorëve shqiptarë kur të bien në sy menjëherë (me gjithë renditjen e çuditëshme sipas rendit alfabetik) mungesa e Camajt, Pashkut, a Koliqit apo veprat e autorëve të huaj ku bie në sy mungesa e Prustit apo edhe e Xhojsit. Nuk kuptohet pse në këtë listë në vend të tyre figurojnë autorë që nuk bëhen as në tekstet e letërsive kombëtare të tyre si Kronin, Salminen, Verkors etj. Po aq i paqartë është edhe përkufizimi “përkthyes të mirëfilltë” ku për shembull, mungon Petro Zheji, Skënder Luarasi, Henrik Lacaj e plot të tjerë, që për konsekuencë terminologjike janë “jo të mirëfilltë”. Shënimi se këta autorë janë përzgjedhur nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë nuk është i vërtetë pasi lista e dorëzuar prej tyre ndryshon krejt prej asaj të paraqitur në këtë program.
Të gjitha këto vërejtje dhe shumë të tjera më të detajuara që lidhen me paqartësi terminologjike e konceptuale ia bëmë me dije grupit hartues. Me sa dimë të njëjtën gjë kanë bërë edhe specialistë të tjerë nga katedrat e letërsive të huaja dhe shqipe.
Reagimi këmbëngulës për të shpallur “tradicionalistë” në rastin më të mirë dhe mos njohës të koncepteve bashkëkohore si “teksti’ në rastin më të keq të gjithë kundërshtuesit e këtij programi, vetëm e vonon rishikimin e programit. Meqë jemi tek koncepti i tekstit “i pa kuptuar” nga të gjithë ne recensentët e programit, sqarojmë se teksti është koncepti qendror i disa lëndëve të kurrikulës universitare e pasuniversitare të departamentit tonë si Retorikë, Semiotikë Teksti, Analizë e teksteve letrare, Narratologji, Teori dhe praktikë e teksteve etj, disa prej të cilave jepen nga autorja e këtyre radhëve. Departamenti i Letërsisë i Universitetit të Tiranës, ku bëjnë pjesë katër profesorë doktorë, pesë doktorë shkencash dhe gjashtë master në letërsi, t në një mbledhje të jashtëzakonshme për të shqyrtuar këtë program vendosi të reagojë pranë Ministrit të Arsimit për t’i kërkuar mosmiratimin e tij.
Ministria e Arsimit ka bërë shumë mirë që ka hapur diskutimin mes specialistëve të fushës për programin. Ky është programi i detyrueshëm i Gjuhës shqipe dhe letërsisë për klasën e dhjetë (viti i dytë) dhe pikërisht pse është i tillë nuk mund të bëhet pre e subjektivitetit apo eksperimenteve të fillestarëve që nuk kanë asnjë status në studimet për letërsinë në Shqipëri. Ata nuk mund të përdorin as kohën e pamjaftueshme për të imponuar një program që faktikisht e përjashton letërsinë nga shkollat e mesme. Për të bërë një program të mirë ka kohë. Mjafton vullneti.
*Autorja është shefe e Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës