E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në mes të acarit OST heq energjnë për remonte

 

Fabiola Çela

Në mes të dimrit Operatori i Sistemit të Transmetimit ka vendosur të nisë punimet në nënstacionin Tirana 1. Për rrjedhojë, energjia elektrike do të mungojë për gati dy orë në disa zona të kryeqytetit. Sipas burimeve zyrtare nga OST-ja, ditën e sotme duke nisur nga ora 10:00-12:00 do të kryhen punime në nënstacionin Tirana 1, për pasojë do të ndërpritet energjia elektrike në zonën e Parkut të Autobusëve, Laprakë, rruga e ambasadave, Pallati i Sportit, rruga e Dibrës, rruga e Barrikadave dhe rruga "5 Maj". Kjo nuk është hera e parë që energjia elektrike mungon si pasojë e remonteve. Herë pas here OST dhe OSSH kryejnë punime në nënstacione të ndryshme elektrike apo në linjat e tensionit të lartë, punime të cilat shoqërohen me ndërprerjen e energjisë elektrike. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve me uljen e temperaturave kërkesa për energji është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave nga Korporata Elektroenergjetike konsumi i energjisë ka arritur në 22.2 milionë kilovat/orë, nga kjo gati 20.3 milionë kilovat/orë është prodhim vendas. Rritja e prodhimit vendas të energjisë ka ardhur si pasojë e situatës së mirë hidrike në kaskadën e Drinit. Sipas të dhënave më të fundit nga Korporata, niveli i ujit në liqenin e Fierzës është 290.41 metra mbi nivelin e detit, ndërkohë që prurjet e ujit janë 205 metër kub në sekondë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy hidrocentralet e tjerë, në Koman niveli i ujit arrin në 171.66 metra, ndërsa në Vaun e Dejës niveli i ujit arrin në 74.06 metra. Në një situatë të tillë hidrike, KESH ka rritur ndjeshëm jo vetëm prodhimin vendas, por që prej një muaji po eksporton energji drejt shtetit helen. Sipas burimeve zyrtare, KESH eksporton çdo ditë drejt Greqisë 1.6 milionë kilovat/orë në ditë. Duke parë situatën e mirë hidrike, KESH vendosi që për herë të parë pas shumë kohësh të niste eksporti i energjisë drejt vendeve fqinje. Eksporti me Greqinë ka nisur që më datë 22 janar dhe ishte parashikuar që të përfundonte më 28 janar. Por duke qenë se situata hidrike në kaskadën e Drinit vazhdon të jetë në nivele goxha të mira, KESH ka vendosur që të shtyjë eksportin e energjisë me Greqinë. Eksporti me shtetin helen është parashikuar të vazhdojë deri në fund të muajit shkurt. Ndërkohë sipas drejtuesve të KESH-it, përveç kontratës me Greqinë korporata po shikon edhe mundësinë e eksportit edhe me vende të tjera, dhe kjo si pasojë e situatës së mirë hidrike.

Zonat pa drita

Parku i Autobusëve

Laprakë

Rruga e Ambasadave

Pallati i Sportit

Rr. e Dibrës

Rr. e Barrikadave

Rr. 5 Maj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›