E Shtunë, 31 Tetor 2026

Celulari i 4-ët, nesër tenderi për dhënien e licencës

 

Së shpejti tregut të telefonisë celulare do t'i shtohet edhe një operator i ri. Më 20 shkurt do të zhvillohet tenderi për dhënien e licencës së katërt celulare në vend. Në fakt ky tender ishte parashikuar të zhvillohej më 23 janar, por bordi drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka marrë vendimin për shtyrjen e tij. Kjo shtyrje ka ardhur si rezultat i kërkesave që kishin bërë në Ministrinë e Telekomunikacioneve disa kompani të huaja, që kërkonin më shumë kohë për të plotësuar dokumentacionin për këtë garë. Sipas ekspertëve të kësaj ministrie, vlerësimi i ofertave do të kryhet në bazë të çmimit të ofertës, kohës së mbulimit me shërbim në shkallë gjeografike, tarifës së shportës së shërbimeve si dhe në bazë të aftësive dhe eksperiencës që ka kompania. Vlerësimi në këtë tender do të kryhet në bazë të pikëve. Kriteri që ka më shumë pikë është pikërisht tarifa e shportës së shërbimeve, ose e thënë ndryshe tarifat e bisedave telefonike. Pra kompania që do të ofrojë çmimet më të ulëta do të fitojë plot 45 pikë. Ndërsa përsa i përket çmimit minimal të ofertës, kompania që do të marrë pjesë në tender duhet të ofrojë 5 milionë euro. Ofertuesit të cilët kanë ofruar në ofertën e tyre një çmim më të vogël se 5 milionë euro, në kriterin "çmimi i ofertës" do të skualifikohen. Sipas kushteve të vendosura nga AKEP, kompania që do të fitojë tenderin ndërkombëtar është e detyruar që të fillojë ofrimin e shërbimit për publikun brenda një periudhe prej 6 muajsh nga data e marrjes së autorizimit individual. Me marrjen e autorizimit kompania fituese është e detyruar që të zbatojë planin për shtrirjen dhe konfigurimin e rrjetit që do ndërtohet për mbulimin me shërbim, ofrimin e shërbimeve të deklaruara. Aktualisht në tregun vendas të telefonisë celulare operojnë tri kompani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›