Konfindustria-Enel pakt për parkun energjetik
Konfindustria shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë italiane "Enel" për ndërtimin e parkut energjetik në zonën e Porto-Romanos. Me anë të së njëjtës marrëveshje, Konfindustria shqiptare me President Ing. Hajredin Fratari do të mbështesë kompleksin energjetik dhe do të rrisë ndërgjegjësimin në radhët e anëtarëve të saj, duke i ofruar në të njëjtën kohë Enel Albania-s asistencë teknike rreth projekteve të kompanisë. Falë marrëveshjes së nënshkruar me Konfindustrinë shqiptare "Enel" do të bashkëpunojë me kompani të kualifikuara shqiptare, në zbatimin e programeve dhe projekteve në vend, me një fokus të veçantë në ndërtimin e kompleksit energjetik në Porto-Romano. Kompleksi energjetik në Porto-Romano do të prodhojë energji në ngarkesë bazë, që është themelore për zhvillimin e balancuar të prodhimit miks shqiptar dhe për tërë zhvillimin ekonomik të vendit. Kompleksi energjetik që po zhvillohet nga "Enel" konsiston në ndërtimin e një termocentrali me fuqi 800 MW me qymyr të pastër, një bankinë ngarkim-shkarkimi, një linjë ajrore transmetimi me tension 400 kV, e cila lidh termocentralin e ri me rrjetin shqiptar të shpërndarjes dhe një linjë nënujore 500 kV, që do të lidhë centralin me rrjetin italian të shpërndarjes. Kompleksi do të prodhojë energji konkurruese në ngarkesën bazë, që është vendimtare për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe do të ofrojë fleksibilitetin e një ndërlidhjeje të drejtpërdrejtë me Italinë, për të përmirësuar kështu integrimin e të dy tregjeve të energjisë.