E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forca e LSI dhe tmerri i PS-PD

Ndre Legisi 

LSI është e vetmja forcë  politike në Shqipëri që nuk ka pranuar të ndjekë taktika elektorale që deformojnë vullnetin e votuesve dhe rezultatin e zgjedhjeve. Në të dy palët e zgjedhjeve qoftë ato të 2005 dhe ato lokale të 2007, LSI ka kërkuar të marrë votat e saj duke mos e përzier elektoratin me partitë e tjera të majta ose të djathta siç kanë vepruar, disa parti satelitore, përkatësisht nga e majta PSD dhe PDS dhe nga e djathta PR dhe PDR etj. Në të vërtetë gjithçka ka ndodhur me transferimin e votës në Shqipëri, është bërë me vullnetin e qartë të PD dhe PS, dhe si përfundim kanë krijuar një kaos elektoral duke prodhuar rezultate dhe duke promovuar subjekte politike inekzistente në elektoratin shqiptar.
Nga ana tjetër paturpësia e subjekteve politike që për 16 vjet nuk arritën dot të bëheshin parti me elektorat të qartë, duke huazuar gjithnjë personazhe politike lokalë apo qendrorë nga dy subjektet e vjetra PD-PS dhe duke i vendosur ato si kandidat të tyre për deputetë, këshilltarë apo kryetarë komunash dhe bashkish, ka sjellë një deformim dhe çoroditje qoftë për elektoratin, qoftë edhe për analistët politikë, kur bëhet fjalë për të nxjerrë konkluzione elektorale.
Shembulli më i qartë dhe i turpshëm njëkohësisht, janë zgjedhjet e vitit 2005, ku me vullnet të plotë dhe për arsye të mbrapshta elektorale, PS dhe PD transferuan votat e tyre te subjektet e tjera aleate, kryesisht te PSD, PR, PAA etj. Si rezultat i këtij veprimi të papërgjegjshëm ata arritën jo vetëm të deformonin rezultatin real të zgjedhjeve të 2005-ës, por edhe të vidhnin një numër të konsiderueshëm mandatesh, ku 10 të tillë vetëm LSI, si dhe 4 mandate LZHK-së. Ky veprim që shënon edhe deformimin më të madh elektoral të ndodhur në këto 18 vite të pluralizmit politik, u shoqërua me pasoja të jashtëzakonshme edhe në rikompozimin kaotik dhe të herëpashershëm të grupeve parlamentare në sallën e Kuvendit. Për rrjedhojë, sot në Kuvendin e Shqipërisë kemi një situatë qesharake, ku më shumë se 20 deputetë kanë lëvizur nga dy subjektet e vjetra dhe subjektet e tjera satelite duke u ri- organizuar në grupe të ndryshme parlamentare, ose duke kaluar nga një grup në tjetrin, madje edhe nga e majta në të djathtë dhe anasjelltas. I vetmi grup parlamentar që në zgjedhjet e 2005-ës nuk pranoi të bëhej pjesë e Mega-Dushkut ishte LSI, por gjithashtu LSI mbetet i vetmi grup parlamentar, që gjatë gjithë mandatit jo vetëm që nuk u shpërbë, por përkundrazi u shtua me deputetë të ardhur nga partitë politike të majta, të cilët padrejtësisht kishin përfituar në kurrizin e LSI-së për shkak të skemës së turpshme të trafikimit të votave që PS dhe PD përdorën djallëzisht për qëllimet e tyre. Në këtë rast shprehja popullore, "herët a vonë haku shkon tek i zoti", merr kuptim të plotë, por edhe na orienton ne që edhe në zgjedhjet e 2009-ës dhe as në zgjedhje të tjera, të mos bëhemi kurrë pjesë e skemave dhe taktikave elektorale që deformojnë vullnetin dhe manipulojnë votën e shqiptarëve.
Principet dhe parimet për një forcë politike janë shumë më të rëndësishme, se një lodër elektorale e përkohshme, pasi ata hedhin baza për një të ardhme solide dhe të sigurt të forcës politike.
Ndaj është e rëndësishme të kujtohet për votuesit shqiptarë, se ishte LSI, e cila menjëherë pas zgjedhjeve të 2005-ës, inicioi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për t'ju thënë shqiptarëve se sa e madhe ishte shkalla e deformimit real të zgjedhjeve të 2005-ës dhe se sa paturpësisht dy forcat e vjetra politike dhe aleatët e tyre kishin shpërdoruar votën e shqiptarëve. Në unitet të plotë deputetët e PD dhe PS, anëtarë të komisionit hetimor për zgjedhjet e 2005-ë, vendosën t'ua mbajnë të fshehtë shqiptarëve rezultatin e zgjedhjeve, duke mos pranuar hapjen e kutive të votimit dhe verifikimin e rezultateve.
Të mësuar gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë, me lojëra të pista që deformojnë vullnetin e popullit shqiptar, ato përsëri së bashku ndryshuan sistemin dhe Kodin Zgjedhor, duke sajuar një kod përjashtues si mënyrën e vetme për të rritur artificialisht partitë e tyre të vjetra në kurriz të realiteteve elektorale në Shqipëri, ashtu si me skemën e Mega-Dushkut.  
LSI mbeti përsëri e vetmja forcë politike që nuk pranoi të bëhet pjesë e këtyre deformimeve dhe lojërave politike, të dy partive të vjetra. Këto kundërshti tonat nuk kishin të bënin aspak me rezultatet e pritshme elektorale të LSI-së dhe as me shkallën e dëmit që mund t'i vinte kësaj force të konsoliduar politike. Këto kundërshti kishin të bënin me parime dhe principe të shenjta dhe të patjetërsueshme që LSI ruan për respektin ndaj votës së lirë të shqiptarëve, ndaj barazisë së votës dhe moralit në një proces konkurrimi zgjedhor. Kjo për arsyen se LSI ka një mbështetje të gjerë elektorale, që nuk mund të deformohet as me sisteme, as me formula dhe as me përjashtim nga procesi i monitorimit të zgjedhjeve. Do të kishte qenë më mirë nëse marifetçinjtë e liderëve politikë të dy partive të vjetra, të kishin hequr dorë nga hartimi i sistemeve dhe formulave zgjedhore, që deformojnë dhe tjetërsojnë votën dhe vullnetin e shqiptarëve. Ata do të zhgënjehen nga metodat e mbrapshta të përdorura, pasi LSI nuk mund të dëmtohet në asnjë rast dhe për asnjë shkak të sajuar në zgjedhjet e 2009-ës.
Së pari, sepse sistemi të cilën PS dhe PD menduan se do ta bëjnë për të favorizuar vetveten, të paktën në 6 qarqe do të favorizojë LSI, pasi në këto qarqe LSI rezulton dhe do të dalë forcë e parë ose e dytë politike. Eshtë kjo arsyeja pse ne mendojmë se "ustallarët" e bashkëpunimit PS-PD do të mbeten të zhgënjyer pas rezultateve të zgjedhjeve të 2009-ës.
Së dyti, nisur nga treguesit elektoralë të LSI-së në zgjedhjet e 2005-ës për kandidatët dhe për subjektin si dhe rezultateve të 2007-ës për subjektin LSI, rezulton se në të gjitha qarqet e Shqipërisë, çdo votë për këtë forcë politike përkthehet në mandate deputetësh.
Së treti, llogaritë e tyre mbështeten në analiza teorike dhe në sondazhet e porositura, me shpresën për të riorientuar elektoratin drejt tyre. Por, duke harruar se kjo është e pamundur, pasi të paktën për 18 vjet ato po të njëjtin elektorat e kanë mësuar ta porosisin të votojë për partitë satelite të tyre, e për pasojë mundësisë për të luajtur pafundësisht me këtë elektoral, tani i ka ardhur fundi.
Së katërti, taktika elektorale që ata kanë vendosur të përdorin me koalicionet e përbëra, do t'i motivojë partitë aleate brenda këtyre koalicioneve të luftojnë me të gjitha mjetet për mbijetesat e tyre, duke shkaktuar një erozion të paparë të elektoratit të dy forcave të vjetra politike.
Së pesti, profilizimi i LSI-së si një alternativë e besueshme kundrejt dy forcave të vjetra politike, shikohet dhe mbështetet nga elektorati shqiptar, e veçanërisht nga pjesa jofanatike për të votuar një alternativë të re që ka marrë përsipër të ballafaqohet me të gjitha prapësitë që këto dy forca politike janë mësuar të bëjnë në këto 18 vjet.
Së gjashti, pavarësisht nga lëvizshmëria e madhe e pragut elektoral nga njëri qark në tjetrin, votat e LSI-së dhe të koalicionit të saj do të përkthehen në deputetë në 12 qarqet e Shqipërisë. Eshtë kjo arsyeja përse PD dhe PS me panik-sondazhet e tyre, janë të prirura ta paraqesin LSI shumë larg rezultateve të vërteta të saj, duke shkaktuar jo vetëm pabesueshmëri tek qytetarët, por edhe frymëzim tek anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në të gjithë Shqipërinë, teksa shohin disa përqindje të sajuara nga porositësit e sondazheve, që nuk i përgjigjen aspak realitetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›