Heqja e vizave, PD rezolutë Kuvendit
Rezoluta për vizat, tentativa e mazhorancës për të risjellë në Kuvend deputetët e PS-së
TIRANË - Mazhoranca qeverisëse ka iniciuar një tjetër formulë politike për të tërhequr javën e ardhshme në Parlament deputetët e opozitës. Duke qenë se nismat e propozuara nga opozita për transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit, do të shqyrtohen pas dy javësh, shumica ka vendosur që të sjellë në Kuvend deputetët socialistë nëpërmjet miratimit të një Rezolute në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian.
Propozimi i kësaj Rezolute ka ardhur nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, dhe kreu i saj Astrit Patozi.
Ky i fundit në një konferencë për shtyp theksoi se, duke qenë se procesi i liberalizimit të vizave në hapësirën Shengen, është jetike për qytetarët shqiptarë, grupi kuvendor demokrat i ka propozuar Parlamentit miratimin e një Rezolute për heqjen e vizave, e cila lë të kuptohet se ngjan më shumë me një manovër politike, që tenton të risjellë në Kuvend deputetët e PS-së.
"Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur t'i propozojë Kuvendit të Shqipërisë miratimin e një Rezolute që të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave. Duke e konsideruar atë si një aspiratë jetike në interesin e drejtpërdrejtë të çdo qytetari shqiptar, ne vlerësojmë hapat e deritanishme të ndërmarra nga qeveria dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore në funksion të këtij qëllimi madhor", - tha dje Patozi.
Sipas tij, kjo Rezolutë ka për qëllim që të inkurajojë pushtetin ekzekutiv, si dhe çdo aktor tjetër politik e shtetëror, të cilët, sipas Patozit, duhet të përfshihen me të gjitha kapacitetet e tyre për realizimin sa më të shpejtë të këtij objektivi.
"Rezoluta ka për qëllim të inkurajojë ekzekutivin dhe çdo agjenci tjetër, të lidhur drejtpërdrejt apo në mënyrë indirekte me procesin, duke shtuar njëkohësisht çdo aktor politik dhe shtetëror që të përfshihet me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë e veta në përmbushjen sa më të shpejtë të tij", - u shpreh ai. Kreu i grupit parlamentar të "selisë blu" vuri në dukje gjithashtu se heqja e regjimit të vizave me vendet e BE-së nuk është vetëm një premtim elektoral, por edhe një objektiv i gjithë shqiptarëve.
Megjithëse Patozi nuk përmendi pikat e përmbajtjes së kësaj Rezolute, ai theksoi se kjo Rezolutë do të paraqitet në Parlament javën e ardhshme, pasi, sipas tij, edhe faktori kohë është mjaft determinues në procesin e heqjes së regjimit të vizave. "Për grupin parlamentar të Partisë Demokratike, liberalizimi i vizave nuk është thjesht një premtim i yni elektoral, por një objektiv i madh kombëtar, ndaj ai ka nevojë për kontributin e gjithsecilit.
Duke pasur parasysh peshën e madhe që ka Kuvendi në hierarkinë institucionale të Republikës sonë, si dhe nisur nga fakti që koha është një element shumë i rëndësishëm për këtë proces, kjo Rezolutë do të paraqitet për miratim në seancën më të afërt, pra ditën e enjte", - theksoi kreu i grupit demokrat.