E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Qeveria po fsheh krizën si kutitë e votimit

Kryetari i opozitës deklaroi se transparenca është detyrim kushtetues i Kuvendit ndaj qytetarëve shqiptarë


TIRANË - Kryetari i opozitës, Edi Rama, deklaroi dje se mazhoranca qeverisëse përveç se refuzon të kryejë transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit përmes hapjes së kutive të votimit, po fsheh njëkohësisht edhe krizën ekonomike.


Në një bashkëbisedim me gazetarët, lideri i opozitës theksoi se kriza ekonomike po shkon drejt përkeqësimit dhe faturën e pasojave të kësaj krize, po e paguajnë qytetarët shqiptarë.


"Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me një krizë ekonomike që po shkon drejt thellimit, ndërsa pushteti vazhdon ta fshehë, duke fshehur të dhënat, njësoj siç ka fshehur dhe siç mban të fshehur të gjitha gjurmët rrëqethëse të grabitjes së 28 qershorit, të kutive të votimit.


Nga ana tjetër të dhënat mbahen të fshehura në një mënyrë që i kushton përditë e më shumë shoqërisë dhe do t'i kushtojë edhe akoma më shumë në të ardhmen ekonomisë së këtij vendi", - tha dje Rama.


Ai përmendi një sërë rastesh ku peshën e krizës ekonomike po e ndjejnë shtresa të ndryshme të shoqërisë. Sipas tij, qeverisja aktuale po shkon duke u përkeqësuar, pasi, sipas Ramës, kjo qeveri në gjithë veprimtarinë e saj është më e papërgjegjshme se në katër vitet e shkuara. Kjo papërgjegjshmëri, sipas Ramës, vjen nga deformimi që i është bërë vullnetit të popullit.


"Kjo qeverisje s'ka asnjë gjasë që të shkojë duke u përmirësuar, por do të përkeqësohet, sepse buron nga ai fakt që unë thashë, madje edhe në raport me vetveten. Kjo qeveri është më e papërgjegjshme sot se sa dje.


Edhe në raport me 4 vitet e para, kjo qeveri është shumë më e papërgjegjshme seç ishte, sepse është shumë më e pavarur nga vullneti i popullit. E ka deformuar këtë vullnet dhe me fuqinë që i jep ky fakt, po shkel çdo ditë mbi principe të demokracisë", - u shpreh ai. Rama vuri në dukje se një qeveri që u merr me pa të drejtë votat qytetarëve nuk mund të administrojë në mënyrën e duhur ekonominë e vendit.


Në këtë mënyrë, sipas kreut të Partisë Socialiste kryerja e transparencës së zgjedhjeve është mjaft përcaktuese për të ndarë Shqipërinë nga epoka e deformimit të zgjedhjeve.


"Ky është realiteti dhe prandaj ato kutitë e votimit dhe ajo transparenca e shumë kërkuar prej nesh është themelore, jo për të ndarë kush ka të drejtë mes PS e PD, as për të ndarë se kujt janë kutitë si sende, por për të ndarë Shqipërinë nga një epokë e deformimit dhe kontestimit të zgjedhjeve, nga një epokë e ndërhyrjes në procesin zgjedhor, për të ricikluar pushtetin", - nënvizoi Rama.


Ai shtoi se e drejta për transparencën e zgjedhjeve është një e drejtë kushtetuese dhe një detyrim kushtetues i Kuvendit ndaj qytetarëve shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›