E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Gati të verifikojmë 70 mijë numra të rremë identiteti

Reagon Ministri i Brendshëm, Basha: Paraqitja e kartave, përpjekje e dështuar e PS-së


TIRANË - Mazhoranca reagoi dje ndaj akuzave të opozitës, se disa votues gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare kanë votuar me karta identiteti false. Ministri i Punëve të Brendshme, Lulzim Basha, si drejtuesi i institucionit përgjegjës për prodhimin e letërnjoftimeve, theksoi dje se paraqitja në Kuvend e disa kartave të identitetit, nga ana e kreut kuvendor socialist, Gramoz Ruçi, si të falsifikuara janë një përpjekje e dështuar e opozitës për të provuar ekzistencën e një fenomeni që nuk ekziston.


Sipas ministrit të Brendshëm, është plotësisht e mundur që një qytetar të ketë më shumë se një kartë identiteti, por në çdo kartë, sipas tij, janë shënuar të gjitha të dhënat, ku numri i identifikimit të personit është unik. "Ose nëse komisarët politikë me një përpjekje të dështuar për të provuar diçka që nuk ekziston kanë paguar për më shumë se një kartë identiteti për një qytetar, kjo është plotësisht e mundur.


Por, në çdo kartë identiteti emri, mbiemri dhe numri i identifikimit të shtetasit është unik", - tha dje Basha. Ministri Basha kërkoi që kreu i grupit socialist të paraqesë dy karta identiteti që i përkasin të njëjtit person, por që kanë numra të ndryshëm identifikimi.


Nëse vërtetohet një abuzim i tillë, sipas Bashës, e gjitha kjo do të jetë objekt i hetimit si një vepër penale. Ndaj deklaratave të mazhorancës ka reaguar edhe Partia Socialiste nëpërmjet deputetit të saj, Artan Gaçi.


Ai vuri në dukje se opozita është gati që të verifikojë jo vetëm numrat e kartave të falsifikuara, por edhe 70 mijë numra të rremë identifikimi që, sipas Gaçit, janë përdorur në zgjedhjet e 28 Qershorit. Deputeti socialist shtoi se nuk është transparenca që po pengon procesin e liberalizimit të vizave, por korrupsioni elektoral që është kryer me letërnjoftime të falsifikuara.


"Dje (pardje) zoti Berisha tha janë fletëhyrje në kazino, sot thonë tjetër gjë, kurse ne jemi gati t'i verifikojmë një për një në kutitë e Ruzhdijeve, jo vetëm numrat e kartave false të publikuara nga kryetari grupit, po të paktën 70 mijë numra të rremë identiteti në 28 qershor.


Nuk është transparenca dhe e vërteta që i pengon vizat, po keqqeverisja e vendit dhe korrupsioni elektoral me karta e pasaporta false si në Ruzhdije. Këta vjedhacakë e frikacakë që nuk kanë kurajë të hapin kutitë s'duan ta çojnë Shqipërinë në Europë, po ta bëjnë çiflig për veten e tyre", - nënvizoi deputeti Gaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›