“Heqja e vizave, meritë e shpirtit europian të shqiptarëve”
Deklaron kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli u shpreh dje gjatë një takimi të zhvilluar me simpatizantë të Partisë Demokratike në Kamëz se vendimi historik i Komisionit Evropian për heqjen e vizave me Shqipërinë, është një faqe e ndritur për të ardhmen e të gjithë brezave. Sipas kryetares së Kuvendit, ky vendim është një premtim i mbajtur i mazhorancës dhe i qeverisë dhe shprehu mirënjohjen e thellë për çdo shqiptar në meritën që ata kanë në transformimin e Shqipërisë dhe heqjes së vizave. “Së pari ky vendim i jashtëzakonshëm është meritë e juaja, e çdo qytetari shqiptar. është meritë e nënave, është meritë e burrave dhe grave që kanë punuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm. është meritë e shpirtit të shqiptarëve, që është një shpirt europian. është meritë e një vizioni që kërkon ta shohim veten te familja, te shtëpia, në Europë. është meritë e një angazhimi të jashtëzakonshëm të viteve të fundit të Qeverisë, të Parlamentit, të institucioneve shqiptare. Gjatë kësaj periudhe është punuar me përkushtim për të plotësuar çdo kërkesë që ne kishim detyrim”, tha Kryetarja e Kuvendit, e cila theksoi se Kuvendi ka luajtur një rol kyç në këtë proces. “Kuvendi i Shqipërisë gjatë kësaj periudhe ka kaluar 176 ligje, marrëveshje, vendime e rezoluta, që janë baza të jashtëzakonshme të reformave të jashtëzakonshme për të cilat ky vend ka nevojë. Vetëm gjatë kësaj periudhe Kuvendi i Shqipërisë, ka kaluar dhe ka miratuar Ligjin antimafia, që është një ligj i jashtëzakonshëm, një ligj që kërkon që për secilin prej atyre që janë të lidhur me gjëra të papastra të shkohet dhe të kontrollohet burimi i parasë dhe i pasurive. Por Kuvendi nuk ka kaluar vetëm ligjin anti mafia; Kuvendi kaloi ligje të tjera të rëndësishme, që kishin të bënin me marrëveshje juridiksionale, me vendet e huaja, Kuvendi kaloi ligjin kundër diskriminimit, Kuvendi kaloi marrëveshje të panumërta për sigurimin e kufijve, për ato detyrime që bënë të mundur që më 27 maj, të merrej vendimi më i jashtëzakonshëm dhe të hapet rruga, që shqiptarët të lëvizin pa viza”, deklaroi Topalli.
Kryetarja e Kuvendit shprehu keqardhjen për mungesën e opozitës në miratimin e reformave të mëdha ligjore për liberalizimin e vizave: “Si Kryetare e Kuvendit unë kam keqardhje që gjatë këtyre muajve, kur Kuvendi dhe komisionet parlamentare kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, një pjesë e deputetëve nuk u lejuan që të hynin në parlament dhe të jepnin edhe ata kontributin e tyre për heqjen e vizave. Unë shpreh trishtimin e madh, që ato nuk u lejuan që të vinin në parlament dhe të votonin bashkë me ne ligje që kërkonte Bashkimi Europian për të lëvizur pa viza dhe të kishin mundësi që të jepnin një kontribut modest. Që çdo qytetar të jetë i lirë, do të thotë që të jetë i lirë në lëvizjen e tij. Edhe në zonën tuaj, pothuaj shumica e familjeve, kanë nga një pjesëtar emigrant, ose në Itali, ose në Greqi, ose në vende të tjera, dhe unë di se këto nëna, duan që të shkojnë të shohin fëmijët e tyre, djalin e tyre, vajzën e tyre, nipin e tyre”, tha më tej kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.