“Shqipëria ka shënuar progres në reformimin e transportit”

Ministri Olldashi takon komisioneri i BE për Transportin, Sim Kallas
Komisioneri i Bashkimit Europian për Transportin, z. Sim Kallas vlerëson pozitivisht progresin që Shqipëria ka bërë për sa i përket reformave në fushën e transportit. Këto vlerësime Kallas i bëri gjatë takimit që zhvilloi me ministrin Olldashi në Leipzig, të Gjermanisë, ku ishin të ftuar në Forumin Ndërkombëtar të Transportit.
Gjatë takimit, ministri Olldashi kërkoi mbështetjen e Kallas për ngritjen e selisë së Traktatit të Komunitetit të Transportit për Europën Juglindore, në Tiranë. Një pikë rëndësishme e takimit/bisedimeve ishte dhe kërkesa që marrëveshja për njohjen e lejeve të drejtimit të automjeteve me Italinë, të shtrihej në nivel komunitar, me qëllim eliminimin e bisedimeve bilaterale me secilin shtet për këtë çështje.
Kallas u angazhua që të shqyrtonte hapësirat ligjore që ky proces të realizohet. Gjithashtu komisioneri i Bashkimit Europian për Transportin Kallas përshëndeti politikën e ndjekur nga qeveria shqiptare në qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, si një nga komponentët kryesor në procesin e integrimit dhe zhvillimit të ekonomisë së Shqipërisë, si dhe vlerësoj rolin pozitiv të Shqipërisë në rajon. Ministri Olldashi u takua me komisionerin e Bashkimit Europian për Transportin Sim Kallas gjatë Forumit Ndërkombëtar të Transportit të mbajtur në Leipzig, të Gjermanisë, ku ishin të ftuar ministrat e transportit, biznesmen, investitor dhe shkencëtar nga e gjithë bota. Forumi Ndërkombëtar i Transportit është një aktivitet i përvitshëm, tema e trajtuar këtë vit ishte inovaconi dhe gjetja e burimeve alternative të transportit, si pasojë e zvogëlimit të resurseve natyrore. Shumë nga të pranishmit paraqitën alternativa të reja në ketë fushë ndër të cilat përmendim avionët më panele diellore etj.