Nis nesër në Sarajevë punimet samiti i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor

BE - Ballkani Perëndimor
Shefat e diplomacisë së Brukselit zbarkojnë nesër në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës bashkë me liderët e Ballkanit Perëndimor në një konferencë të përbashkët, ku në krye axhendë është diskutimi për zgjerimin e radhëve të Unionit. Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Bosnje- Hercegovina, do jenë vendet që pritet të marrin një konfirmim zyrtar nga radhët e Brukselit, për sa i takon zgjerimit të BE-së.
Premtimi i hershëm i Bashkimit Evropian, për objektiva të qarta në Ballkan, kryesisht në vendet e rajonit dhe anëtarësimin e tyre në familjen e vlerave evropiane, bën që vendet e Ballkanit Perëndimor të angazhohen zyrtarisht për një vlerësim pozitiv nga ana e Samitit të Sarajevës. Mësohet se BE do të dalë në një deklaratë të përbashkët. Në këtë deklaratë, për çdo vend do të vendoset nga një paragraf, ku të konstatohet se në cilën fazë ndodhet secili prej tyre në procesin e integrimeve europiane, ndërkohë që në të (deklaratë) të vihen në dukje edhe synimet e BE-së lidhur me zgjerimin.
Në konferencën e radhës për Ballkanin nesër në 2 qershor në Sarajevë, ministrat e Jashtëm të Unionit europian, do të konkludojnë me një qëndrim unik, për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Konferenca e Sarajevës do të jetë moment i rëndësishëm për Beogradin e Prishtinën dhe për gjithë integrimet evropiane të rajonit, sepse, është edhe një sinjal pozitiv se pavarësisht të gjitha dallimeve, të dy palët dëshirojnë t’i zgjidhin kontestet më të vështira në mënyrë diplomatike.