E Shtunë, 31 Tetor 2026

Herman Van Rompuy favorit për president të BE-së?

Udhëheqësi i Belgjikës, Herman Van Rompuy dhe ministri i Jashtëm i Britanisë, David Miliband, kanë dalë në sipërfaqe si favorit për të mbuluar dy funksionet më të larta të BE-së, por Miliband ka distancuar vetën nga funksioni i shefit të unionit për politikë të jashtme.

Diplomatët evropianë kanë theksuar se në mesin e 27 shteteve anëtare të BE-së ekziston një mbështetje e fuqishme që Van Rompuy të emërohet për president, ndërsa Miliband për përfaqësues të lartë për çështje të jashtme.

Ministria e Jashtme e Britanisë në vazhdimësi ka përsëritur se Miliband nuk është në dispozicion, ndërsa një zëdhënës i fraksionit të socialistëve në Parlamentin e Europës ka theksuar se nuk beson se Miliband e synon këtë funksion.

Duket se ministri i Jashtëm i Britanisë nuk synon që të largohet nga jeta aktive politike në Britani, tha zëdhënësi Dimitris Komodromos.

Ai theksoi se udhëheqësi i fraksionit të socialistëve, Poul Rasmussen, ka biseduar javën e kaluar me Milibandin, në lidhje me mundësinë që ai të mbulojë funksionin në fjalë.

Miliband ka theksuar se nuk është i interesuar për këtë funksion, ndërsa socialistët tani kanë vendosur që si kandidat të tyre të mbështesin ish-ministrin e Jashtëm të Italisë, Massimo DAleman, shtoi Komodromos.

Funksioni i presidentit të Këshillit të udhëheqësve të BE-së është krijuar me Traktatin e Lisbonës. Në bazë të këtij Traktati, kompetenca të shtuara do të ketë edhe përfaqësuesi i unionit për politikë të jashtme, me qëllim që të ndihmojë në forcimin e profilit global të unionit.

Edhe përkundër faktit se Miliband konsiderohet për funksionin e shefit të BE-së për politikë të jashtme, Britania ka theksuar se nuk do të heq dorë nga mbështetja për ish-kryeministrin Tony Blair, për funksionin e presidentit të parë të unionit. Britania nuk mund të mbështetë që të dy kandidatët.

David ka bërë të qartë se nuk është kandidat. Ne kemi një plan A, e i cili parasheh përkrahjen e Blairit, tha zyrtar i Partisë Laburiste, Chris Bryant.

Suedia, vend ky i cili aktualisht kryeson BE-në, pritet që në fund të këtij muaji të organizojë një samit, në të cilin pritet të konfirmohen kandidatët për mbulimin e funksioneve të reja, por Stokholmi ka bërë të qartë se synon arritjen e konsensus, para se të përcaktojë datën e samitit.

Van Rompuy, udhëheqës i qendrës së djathtë, ka më pak se një vit që ushtron funksionin e kryeministrit të Belgjikës, por ai ka arritur që të mbajë gjallë qeverinë aspak të lehtë të koalicionit në vendin e tij.

Dalja e tij në sipërfaqe si favorit lë të kuptojë se udhëheqësit e BE-së dëshirojnë një president, i cili është i aftë që sigurojë një konsensus, e jo ndonjë burrështetas me përvojë, i cili është në gjendje të hap dyert nëpër kryeqytetet e botës.

Blair deri vonë është konsideruar si favorit, por gjasat e tij së fundi janë zbehur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›