E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji antimafia, PS: Rrezikon respektimin e të drejtave dhe lirive

TIRANE- Partia Socialiste reagoi sot lidhur me projektligjin që qeveria po përgatit për luftën ndaj krimit dhe klaneve mafioze. Deputeti Damian Gjiknuri tha se ligji i jep kompetenca të gjera policisë e prokurorisë pavarësisht nga përfshirja ose jo e personit në aktivitetet kriminale që parashikon ligji.

“Projektligji, nga disa amendime të veçanta po formësohet si një ligj i ri duke zgjeruar objektin dhe kategoritë mbi të cilin zbatohet, por pa u justifikuar qartë se përse është i nevojshëm një zgjerim i tillë dhe sa problematik ka qenë zbatimi i ligjit në fuqi, nisur nga fakti që një ligj i tillë ka mbi 5 vjet që zbatohet.
Projekti i ri i mazhorancës Berisha synon të përfshijë si subjekte të këtij ligji çdo person apo qytetar mjafton që ai të demostrojë një nivel të caktuar jetese, i cili mund të mos përputhet me të ardhurat e tij. ” u shpreh deputeti socialist.

Partia Socialiste kujton kundërshtimet e ardhura nga ana e shoqatave të avokatëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve në lidhje me këtë ligj, duke paralajmëruar rreziqet që mund të vijnë pas zbatimit të tij. Deputeti Gjiknuri theksoi se miratimi i pakonsulutuar i këtij ligji, vetëm me votat e mazhorancës mund të kthehet në një problem për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore.

“Ky ligj në mënyrë krejt antikushtetuese merr përsipër të amendojë ligje që kërkojnë 3/5 e votave për miratim, pasi de facto amendon Kodin e Procedurës Penale apo ligjin Për Gjykatën e Krimeve të Rënda. Mazhoranca do të bënte mirë të shtynte miratimin e këtij ligji në Kuvend dhe të zgjeronte rrethin e konsultimit me të gjithë aktorët e interesuar si dhe të sqaronte e korrigjonte dispoziatat që kanë ngjallur reagim publik si burim i mudshëm abuzimi” tha Gjiknuri ndërsa nënvizoi se , sipas tij ky zbatimi i këtij ligji do të rrezikonte çdo sipërmarrës apo qyetar jashtë interesit kryeministror.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›