700 pacientë trajtohen jashtë shtetit
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka dërguar gjatë vitit 2010 rreth 700 pacientë për trajtim mjekësor jashtë vendit, kryesisht për sëmundje që bien nga lëmia e kardiologjisë invazive, kardiokirurgjisë, radio-onkologjisë, ortopedisë, oftalmologjisë dhe lëmi të tjera.
Prej 1 janar 2010 deri më 31 dhjetor 2010, Zyra për Trajtim Jashtë Vendit e MSH-së ka pranuar 1.110 lëndë, shumica prej të cilave janë aprovuar për trajtim jashtë vendit nga Bordi Ekzekutiv i Programit TJV.
Prej këtij numri lëndësh, 167 kanë qenë të fëmijëve të moshës 0-15 vjet, që janë kategoria më me prioritet për TJV. Prej tyre, me buxhetin e Programit të TJV-së, jashtë vendit janë trajtuar 366 pacientë, në Shqipëri janë trajtuar 54 dhe kur këtij numri i shtohen dhe rreth 300 pacientë të tjerë, të cilët janë trajtuar falas me ndihmën e Republikës së Turqisë, numri i pacientëve të trajtuar më 2010 jashtë vendit është mbi 700. Kjo shifër prej rreth 700 të trajtuarve jashtë vendit brenda një viti, është më e larta e arritur ndonjëherë që prej fillimit të këtij programi më 2003.
Ndërkaq, buxheti që MSH ka pasur në dispozicion gjatë vitit që shkoi për Programin e TJV-së ka qenë 2.275.000 euro dhe është shfrytëzuar një qind për qind.