E Diel, 1 Nëntor 2026

Herri Reid kërkon falje nga Obama për deklaratën raciste

 Republikanët në SHBA po shfrytëzojnë një deklaratë ‘raciste’ të dy viteve më parë, thënë nga lideri i Senatit, Herri Reid për të kërkuar dorëheqjen e tij. “Reid duhet të heqë dorë nga posti i tij pas publikimit të deklaratave të tij në vitin 2008 mbi Barak Obamën”, është shprehur kreu i Partisë Republikane, Majkëll Still të dielën, edhe ai lideri i parë afro-amerikan i partisë. “Racizmi dhe diskutimet raciste nuk kanë vend sot në Amerikë”, tha Still për kanalin NBC. Ai i akuzoi Demokratët se ndiqnin “standarde të dyfishta” dhe shtoi se Reid ka përdorur “gjuhë anakronike që të kthen në vitet ’50-‘60, duke konfirmuar se nuk e ka idenë se ku është Amerika sot”. Reid, i cili këtë vit do të përballet me një fushatë të vështirë për rizgjedhjen e tij në Senat, i ka bërë komentet në vitin 2008. Ato janë përfshirë në librin “Game Change”, të shkruar nga gazetarët Mark Halperin dhe John Heileman. Në këtë libër trajtohet fushata presidenciale e Presidentit Obama në vitin 2008 dhe përfshihen intervistat e autorëve me rreth 200 burime, pjesës më të madhe të së cilëve ju është garantuar anonimitet. “Reid ishte i impresionuar nga aftësia oratore e Obamës dhe ka besuar se vendi është i gatshëm që të përqafojë një president me ngjyrë, në veçanti një të tillë si Obama, një afro-amerikan, i cili nuk ka dialekt zezak”, citohet ai në libër. Pas publikimit të këtij fragmenti të librit, Reid dha një deklaratë duke shprehur keqardhje për këtë përzgjedhje të varfër të fjalëve nga ana e tij. Ndërsa Obama e pasoi menjëherë me një përgjigje, duke theksuar se ai ka biseduar me Reidin dhe se për të ky kapitull është i mbyllur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›