E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtja e Bamir Topit, mbështetje ndaj akuzave të Edi Ramës

18-07-2011 / Gazeta 55

Nga presidenca guxuan dje të përgënjeshtronin marrjen e letrës nga gjyqtarët, por s’e prishën terezinë për shqetësimet e tyre lidhur me shantazhet që po u bëjnë gojëlëshuarit e Edi Ramës. Bamir Topi ka veç një shqetësim, atë të votës së 8 majit, prandaj me heshtjen e tij, ai po mbështet hapur akuzat e Edvinit

Presidenti i Republikës Bamir Topi foli dje për letrën e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor... Ose të paktën supozohet se foli.
Foli..., por nuk tha asgjë.
Referuar numrit të djeshëm të gazetës “Shqip”, e cila midis të tjerave shkruante për këtë argument se, “Letra e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, mbetet e pakonfirmuar. Burime zyrtare nga ky institucion deklaruan dje se ‘në adresë të institucionit nuk ka mbërritur asnjë letër nga gjyqtarë të Kolegjit Zgjedhor’”, si edhe e konsideruar (supozuar) si e “mirëqenë”, kjo deklaratë e “burimeve zyrtare” të Presidencës, jo vetëm që nuk “e zhvesh” Presidentin Bamir Topi nga faji “i mos mbërritjes së asnjë letre”, por për të keqen e tij, e nxjerr atë “zbuluar” para tentativës së shfajësimit në emër të “mos mbërritjes së asnjë letre”.
Kjo dalje “zbuluar” e Presidentit Bamir Topi duket më së miri, kur ai vetë bie “viktimë” e dystandartizimit që zgjedh për të lexuar e komentuar (midis të tjerave) xhiron mediatike që kanë bërë shqetësimet e trupës së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor nga njëra anë, si edhe zgjedhja tjetër që ai bën për të lexuar e komentuar xhiron mediatike që kanë bërë shqetësimet (mediatike) për indiferentizmin e Presidentit Bamir Topi, përballë shqetësimit dhe ndihmës që i kërkojnë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor.
E thënë më thjesht...
Presidenti në pozitat e zyrtarit më të lartë të shtetit, pretendon se “në adresë të institucionit (Presidentit) nuk ka mbërritur asnjë letër nga gjyqtarë të Kolegjit Zgjedhor”.
Deri këtu, mund edhe të kemi të bëjmë me diçka normale..., d. m. th., që Presidenti, afërmendsh, duhet të reagojë vetëm zyrtarisht. Kjo do të thotë që, (brenda normalitetit të mundshëm), për deri sa Presidenti nuk është njohur me një letër (zyrtare) që është nisur në adresë të tij (sepse supozohet se nuk i ka mbërritur), nuk ka se si të reagojë...
Për Presidentin, bërja publike e shqetësimit të trupës së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor edhe në media, duket se nuk është as “kush i mjaftueshëm e i nevojshëm”, që ai sërish të reagojë...
Ndërsa deri këtu, mund të merret si normale (megjithëse me rezerva) sjellja dhe qëndrimi “indiferent” i Presidentit, pas kësaj, ai vetë e prish këtë normalitet (të pranuar me kompromis).
E thënë më thjesht...
Presidenti në pozitat e zyrtarit më të lartë të shtetit, pretendon se nuk duhet të reagojë, kur “në adresë të institucionit (Presidentit) nuk ka mbërritur asnjë letër nga gjyqtarë të Kolegjit Zgjedhor”. Jo vetëm kaq, por Presidenti në pozitat e zyrtarit më të lartë të shtetit, pretendon se nuk duhet të reagojë, edhe pse reagimi mediatik dhe publikimi i shqetësimit të trupës së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, ka qenë shumë më i shpejtë edhe se (bie fjala) protokolli i Presidencës...
Por, ama..., kur Presidenti mëson, (çuditërish) vetëm nga mediat (jo nga ndonjë letër e mundshme nisur në adresë të tij), për shqetësimet (mediatike) për indiferentizmin e tij përballë shqetësimit të trupës së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, ai zgjedh të “aplikojë” standardin e dytë, atë të marrjes së “spuntos”, nga mediat, për të mbrojtur veten nga sulmet mediatike...
Po pse ky standard (i dytë), nuk e vuri në lëvizje Presidentin Bamri Topi, që deri në pritje sa protokolli i Presidencës ti linte në tavolinën e punës letrën e i trupës së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, ai të merrte “spunton” nga shqetësimi (i supozuar vetëm mediatik) i trupës së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, dhe dje, (jo vetëm) për gazetën “Shqip”, të jepte një tjetër përgjigje, sigurisht shumë më dinjitoze se përgjigja (e supozuar), sipas së cilës “në adresë të institucionit nuk ka mbërritur asnjë letër nga gjyqtarë të Kolegjit Zgjedhor”...?!
Ky dystandartizmi i Presidentit, sigurisht ka një shpjegim (jo vetëm të supozuar).
E thënë më thjesht...
Presidenti përgënjeshtron letrën, por s’shqetësohet për shqetësimin e gjyqtarëve. Ai s’do që t’i shkruajnë, pasi me sa duket ka shqetësimin e 8 majit, shqetësimin, jo vetëm të votës së tij, që i vajti dëm për Edi Ramën, por edhe shqetësimin për fatin e vetë Edi Ramës...
Prandaj, edhe heshtja e Presidentit Bamir Topi është mbështetje më e mirë për akuzat ndaj Edi Ramës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›