E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtja e Bashkim Shehut

Ai preferoi të heshtte. Sikur kërkonte t'i shmangej rutinës së këtyre takimeve, fjalimeve të përhershme të kritikës, vlerësimeve jo të thelluara, kohës boshe në pritje të pyetjeve të gazetarëve. Na la të kuptonim se romani "Mozart, me vonesë" duhej të prekej, të përjetohej dhe të kuptohej vetë nga lexuesi.


Vetëm nëpër faqet e tij ai do të mund të përballej me dramën e personazheve që kanë jetuar në një kohë që ndrydh, poshtëron, përçudnon, shkatërron dhe burgos fatin njerëzor.


"Mozart, me vonesë", libri më i ri i shkrimtarit Bashkim Shehu, i cili është hedhur në treg një muaj më parë nga shtëpia botuese "Toena", ishte arsyeja e takimit të djeshëm në Muzeun Historik Kombëtar të autorit përballë një auditori të përbërë kryesisht nga moshatarë të shkrimtarit dhe gjashtëdhjetëvjeçarë.


Vetë Shehu u tregua i kursyer në fjalë, për t'ia lënë vendin "kritikës". E, ndoshta, një fjali ishte e mjaftueshme për të rrëfyer lidhjen e tij me kujtimet, historinë, vendin e tij.


"Edhe pse u bënë vite që jetoj jashtë, Shqipëria është vendi ku librat e mi botohen dhe kuptohen në gjuhën origjinale. Është diçka që më vjen vetvetiu, pjesa më e rëndësishme e kujtesës sime është e lidhur me Shqipërinë, madje edhe ëndrrat që shoh natën dhe përjetimet janë të lidhura me Shqipërinë,"- shprehet shkrimtari, i cili që prej vitit 1997 e ka lënë vendin për një tjetër jetë në Spanjë.


Tek "Mozart, me vonesë" ai rrëfen vënien në skenë të operës së Mozart-it, "Cosi fan' tutte", në Shqipërinë e viteve '60, me personazhe që përjetojnë trauma, vuajtje, humbje personaliteti.


"Një skenë brenda skenës së madhe të jetës", - do ta cilësonte pedagogia e letërsisë, Persida Asllani, këtë mënyrë të rrëfyeri të ngjarjeve nga autori. Në këtë roman, Shehu është dëshmitar i kohës së tij, i ngjarjeve që e kanë mbushur atë dhe personazheve që i kanë dhënë jetë.


Ai nuk ka as më të voglin ngurrim për të folur për personazhe realë, për jetë dhe persona që kanë shkatërruar, për xhelatët dhe viktimat, fajtorët dhe bashkëfajtorët, për ata që kanë ndërtuar një periudhë duke zhbërë jetë njerëzish, duke i ndëshkuar me të vetmin destin "pa shpresë, të humbur, jashtë kohe".


Kjo është panorama për të cilën autori kërkon të flasë, pikërisht për sfondin historiko-shoqëror të regjimit totalitar, për ndarjen e madhe të regjimit komunist në Shqipëri nga ai i Bashkimit Sovjetik.


"Ky është romani i përvojës së kujtesës."- e përshkroi përkthyesi Virgjil Muçi, duke u ndalur më tepër tek detajet e përshkruara në roman, tek ai i gurit, gjymit, çekiçit, detaje të cilat për brezin e ri nuk thonë asgjë, ndërsa për njerëzit e viteve '60, janë gjurmët e diktaturës. Personazhet e Shehut dhe përjetimet e tyre i tejkalojnë caqet e një skene, e një jete në teatër.


Skandale marrëdhëniesh erotike, histori absurde përndjekjesh policore, akuza politike me pasoja nga më të rëndat, shkatërrim i personalitetit të disa personave, internime, burgosje, kjo është historia e karaktereve që lindin dhe vdesin në kujtesën e Bashkim Shehut.


Fjalët e cunguara, me të cilat autori foli për veprën, të intrigojnë për ta prekur vetë historinë e njeriut, të cilit Shqipëria i kufizoi hapësirën, koha i krijoi inate, mllefe, kujtime që nuk harrohen lehtë, por që shumë shpesh shfaqen dhe torturojnë.

Me pushtetin e fjalës ai kërkon t'i drejtohet çdo lloj pushteti, të denoncojë krimet e një kohe, e ndoshta t'u kujtojë shqiptarëve, që "ata" janë jetojnë ende sot, janë drejtues të një tjetër pushteti dhe nuk dihet nëse do të kërkojnë ndonjëherë falje.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›