Vëzhguesit vendorë: Numërimi i votave prishi imazhin e zgjedhjeve
Në një raport përfundimtar për zgjedhjet, koalicioni i vëzhguesve vendorë thekson se procesi zgjedhor ishte pozitiv, por evidenton edhe problemet që shoqëruan zgjedhjet
TIRANË - Mungesa e profesionalizimit dhe përkatësia politike e anëtarëve të grupeve të numërimit të votave, ndikoi negativisht në prishjen e imazhit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Ky është një ndër konstatimet kryesore që bën Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në raportin përfundimtar për zgjedhjet e shkuara parlamentare, të prezantuar dje nga një prej drejtuesve të tij, Kristaq Kume.
Në një material të zgjeruar, ky koalicion, i cili vëzhgoi zgjedhjet me rreth 396 vëzhgues afatgjatë dhe rreth 2 450 vëzhgues afatshkurtër, evidenton të gjitha arritjet dhe mangësitë e vërejtura në këtë proces zgjedhor, që nga ndryshimi i sistemit zgjedhor në Kushtetutë, krijimi i infrastrukturës zgjedhore, dita e votimit dhe numërimit votave.
Për sa i përket realizimit të infrastrukturës zgjedhore, ky koalicion vlerëson si pozitiv faktin që Kodi Zgjedhor u miratua rreth gjashtë muaj përpara zgjedhjeve, pavarësisht nga kundërshtimet e një pjese të partive politike ndaj këtyre ndryshimeve legjislative.
"Përgatitjet dhe niveli i zhvillimit të infrastrukturës zgjedhore, legjislative, teknike e administrative të nevojshme për zgjedhjet e 28 qershorit 2009 për Kuvendin e Shqipërisë, me gjithë ngarkesën politike që i shoqëroi, e cila, në disa raste, apriori, vuri në dyshim rezultatet, vlerësohen si argumente pozitive për arritjet në rrugën e plotësimit të standardeve të zgjedhjeve për një vend anëtar të NATO-s dhe që synon të anëtarësohet në BE", - thuhet në këtë raport.
Gjithashtu, me nota pozitive, vëzhguesit vendorë vlerësojnë edhe sjelljen e administratës zgjedhore, e cila në përgjithësi thuhet se bëri përpjekje për të zbatuar me kompetencë, profesionalizëm dhe transparencë, detyrimet ligjore për organizimin dhe zhvillimin e procesit zgjedhor.
Megjithatë, në këtë raport thuhet se përkatësia politike e anëtareve të KQZ-së u shfaq në mënyrë të dukshme, veçanërisht gjatë procesit të administrimit të ankimimeve të bëra nga subjekte të ndryshme politike pas ditës se zgjedhjeve dhe numërimit të votave.
Probleme evidentohen edhe në veprimtarinë e KZAZ-ve dhe KQV-ve, për të cilat theksohet se ende nuk kanë arritur standardet që do të garantonin një administrim profesional të procesit zgjedhor.
"Ndryshimet në numrin dhe përbërjen e tyre, të rrjedhura nga kërkesat e Kodit të ri Zgjedhor, si dhe vonesat në konstituimin e tyre, të rrjedhura nga propozimet e vonuara të partive politike, ndikuan negativisht në efektin e pritur dhe të synuar në procesin e trajnimit të tyre dhe, për pasojë, edhe në performancën profesionale e administrative të tyre", - thuhet në raport.
Ndërkohë, grupet e numërimit të votave konsiderohen si pjesa e administratës zgjedhore, që kishte më pak mundësi reale për të qenë profesioniste dhe e pandikuar politikisht.
Sa i përket fushatës zgjedhore, koalicioni vëren se ajo u karakterizua nga theksimi i fortë mediatik, ku produktet e transmetuara, në të shumtën e rasteve ishin të dirigjuara tërësisht nga forcat politike, ndërsa gara u mbizotërua nga lidershipe politike, ku natyrisht kandidatet në rajone të ndryshme thuajse nuk u përfshinë fare në të si aktorë parësorë, por, në pjesën më të madhe ata shërbyen si dekor për fushatën e lidershipeve korresponduese.
"Në funksion të fushatës zgjedhore, në jo pak raste dhe në kapërcim të ligjit, u përdorën dhe u zhvilluan aktivitete institucionale, inaugurime etj., u angazhuan, deri edhe në formë të detyruar, punonjës të institucioneve publike, të organeve të pushtetit vendor, nxënës e mësues, mjete dhe infrastruktura të institucioneve publike.
Fushatat e partive dhe subjekteve të ndryshme zgjedhore ishin ndër më luksozet dhe të shtrenjtat, ndërkohë që asnjë nga këto subjekte nuk bëri transparente burimet e fondeve të përdorura", - thuhet në këtë raport.
Më tej, në raport thuhet se procesi i votimit, ditën e diel, 28 qershor 2009 u zhvillua i qetë dhe pa probleme të rendit, por natyrisht u evidentua sërish problemi i votimit në grup. Një hapësirë e konsiderueshme në këtë raport i është kushtuar edhe procesit të numërimit të votave, për të cilin natyrisht palët politike patën edhe kontestimet më të mëdha.
Lidhur me të, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë konstaton se procesi i numërimit të votave, në përgjithësi u zhvillua normalisht dhe në përputhje me kërkesat e ligjit, por duke theksuar se gjatë këtij procesi u evidentuan probleme si pasojë e nivelit të ulët profesional të anëtarëve të grupeve të numërimit dhe trajnimit të pamjaftueshëm të tyre.
"Faktorë me efekte të ndjeshme negative në punën e këtyre grupeve, vlerësojmë të jetë përkatësia politike të tyre, si dhe presioni psiko-politik i ushtruar ndaj tyre, i cili, në disa VNV u evidentua qartë, veçanërisht me afrimin e përfundimit të numërimit të votave.
Ngarkesa e lartë politike, e cila, në ndonjë rast prodhoi edhe situata jo normale në këto VNV, ndikoi në prishjen e imazhit të përgjithshëm të ecurisë pozitive të këtij procesi", - thuhet në këtë raport.
Si rrjedhojë e gjithë këtyre konstatimeve, ky koalicion i rekomandon klasës politike shqiptare një sërë ndërhyrjesh, qoftë në sistem, ashtu edhe në kod. Ndër rekomandimet kryesore janë ato për ndryshimin e sistemit nga proporcional rajonal në proporcional kombëtar, si dhe ngritja e një administrate zgjedhore jo politike.