Takimi me Ramën, Milo: Në Kuvend, me kushte
Në takimin Rama-Milo diskutohet edhe për bashkimin e partive të majta në një të vetme
TIRANË - Humbja në dy zgjedhjet e fundit parlamentare, por edhe sistemi i ri zgjedhor, ka bërë të detyrueshme për opozitën që të rishohë organizimin e saj në një mënyrë më efikase, çka do të sillte dhe rezultatin e munguar. Kjo duket se ka qenë një nga temat që krerët e këtij spektri kanë konsumuar së tepërmi në dy ditët e fundit, në takimet që kanë zhvilluar me njëri-tjetrin në selinë e Partisë Socialiste.
Pavarësisht se nuk bëhen të ditura shumë detaje për mënyrën e riorganizimit të së majtës, pra nëse do të kemi një shkrirje të partive të vogla me PS-në apo do të kemi një organizim në formën e një federate, ajo që dihet deri më tani është se të gjitha forcat e pozicionuara tashmë në opozitë, në sfidën më të parë elektorale do të konkurrojnë si një forcë e vetme.
Këtë fakt e ka bërë të ditur dje edhe kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, i cili ka pohuar publikisht se e majta në zgjedhjet e ardhshme do të garojë si një subjekt i vetëm.
"Diskutuam për çështje politike të ditës, por diskutuam në mënyrë të veçantë rreth së majtës shqiptare për mënyrën dhe format e riorganizimit të saj, me qëllim që e majta shqiptare në sfidat e ardhshme elektorale të paraqitet si një forcë e vetme politike, me qëllim që të jetë e suksesshme dhe besoj se me mënyrën se si do të riorganizohemi, do të jetë e suksesshme", - tha Milo pas takimit që zhvilloi në selinë rozë me kreun socialist në detyrë, Edi Rama.
Një nga sfidat e tjera politike, për të cilat e majta po perfeksionon qëndrimin e saj, është edhe ajo që ka të bëjë me qëndrimin karshi zgjedhjeve të fundit dhe institucioneve të dala prej tyre.
Për këtë çështje, duket se opozita ka zbutur qëndrimin e saj, pasi siç bëri të ditur kreu i PDS-së, tashmë nuk bëhet më fjalë për bojkot të Kuvendit, por për një "marrëdhënie të kushtëzuar" me këtë institucion, por pa mundur të shpjegojë se cili është kuptimi i drejtpërdrejtë i kësaj shprehjeje.
Kështu, sipas Milos, nuk bëhet më fjalë për një bojkotim të Kuvendit, por për vendosjen e disa kushteve nga opozita që kanë të bëjnë kryesisht me zbardhjen e asaj që ky spektër e ka konsideruar si krim elektoral.
"U informova nga zoti Rama se nuk bëhet fjalë për bojkot, por bëhet fjalë për marrëdhënie të kushtëzuara me Parlamentin ekzistues, në Parlamentin me legjitimitet të cunguar, në mënyrë që fenomenet negative që u vunë re në zgjedhje, të mos jenë prezente në zgjedhjet e ardhshme, qofshin lokale apo parlamentare", - shtoi Milo.
Ndërkohë, duke folur në emër të PDS-së, ai ka bërë të qartë se bojkoti i Kuvendit mund të shihet si një taktikë e përkohshme, por jo si një zgjidhje e afatgjatë e situatës.