E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtja, mëkati i presidentëve

Arben Laze, presidenti i Elbasanit, është i treti që tashmë është shprehur në faqet e gazetës "Sport Ekspres" në lidhje me rrezikun e përjashtimit të Shqipërisë nga FIFA e UEFA. I pari ishte Edmond Hasanbelliu i Teutës, më pas Besnik Sulaj i Dinamos, që thanë se investimet e tyre janë në rrezik dhe nuk kanë ndërmend të shpenzojnë më nëse klubet përjashtohen nga garat evropiane, që ofrojnë mundësinë e shlyerjes për investimet e bëra. Pas përjashtimit të Greqisë, rreziku ndjehet edhe më pranë dhe tani është Laze që sheh "bombën" gati të shpërthejë pranë "ndërtesës" që ai ka ngritur me shumë mund e pasion në tre vitet e fundit. Presidenti i kampionëve kërcënon me largim në rast se konflikti MTKRS-FSHF do të cojë në përjashtimin e klubeve shqiptare nga Evropa, rrjedhimisht edhe të Elbasanit të tij nga Liga e Kampioneve. Më shumë se një kërcënim për largim, zëri i Lazes është një akuzë për politikën vetizoluese që po ndjek shteti shqiptar. Megjithatë, nuk mjafton. Fatkeqësisht, edhe Laze, së bashku me presidentët e tjerë të klubeve shqiptare, janë fajtorë në gjithë këtë cështje. Janë fajtorë për heshtjen e tyre, për pasivitetin dhe indiferencën e shfaqur gjatë gjithë kohës që nga ministria e sportit drejtoheshin përpjekjet për uzurpimin e federatës së futbollit. Laze e gjithë të tjerët kanë të drejtën legjitime të shqetësohen për milionat e hedhura, por ata kanë fajin që ende nuk janë në gjendje t'i kërkojnë llogari këtij shteti që guxon të tallet me paratë e tyre. Ministria nuk investon në futboll, janë Laze me shokë ata që mbajnë në këmbë klubet dhe këtë kampionat, packa se problemet e defektet nuk mungojnë. Por presidentët që hedhin miliona për futbollin janë shumë të zënë për t'u grindur me njëri-tjetrin, për të bërë akuza e kundërakuza për korrupsion gjatë kampionatit dhe kurrë nuk u ka shkuar ndër mend që të paktën një herë duhet të mblidhen e të bashkohen. Të vecuar, askush nuk ua vë veshin, por të gjithë së bashku mund të jenë në gjendje ta thonë fort fjalën e tyre e t'i ulërijnë "Ndal!" në fytyrë një qeveritari arrogant që guxon të shkelë paturpësisht mbi investimet e tyre dhe futbollin që ata mbajnë në këmbë. Duhet ta bëjnë, ndryshe, pas pak kohësh, do t'u mbetet vetëm pendesa për mëkatin e heshtjes së tyre.
Dritan Ikonomi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›