Ekstradohet nga Greqia i dyshuari për vrasje
Interpol Tirana ka sjellë Aleksandër Kondon, i cili ishte shpallur në kërkim në vitin 1993
Është ekstraduar nga Greqia një i kërkuar, i cili akuzohet nga drejtësia shqiptare për vrasje. Zyra e Interpol Tiranës i ka dorëzuar Drejtorisë së Burgjeve, Aleksandër Kondon, i cili kishte 15 vjet që ishte shpallur në kërkim. Gjykata e Rrethit të Fierit kishte dhënë për të masën “arrest me burg”. Kjo, pasi Kondo dyshohet se ka vrarë me armë zjarri për motive të dobëta në Fier një person. Ai pas ngjarjes kishte arritur që t’i shmangej arrestimit, duke kaluar për në vendin fqinj, ku kishte disa vjet që jetonte. Megjithatë, pas punës së kryer midis autoriteteve greke dhe zyrës së Interpol Tiranës, u arrit që të bëhej identifikimi dhe kapja e të kërkuarit nga drejtësia shqiptare. Kondo kishte filluar një jetë të re në shtetin fqinj. Ai punonte në kryeqytetin grek dhe jetonte aty. Por pas marrjes dhe përpunimit të disa informacioneve në lidhje me vendndodhjen e të kërkuarit, u arrit që të organizohej operacioni për arrestimin e tij. Policia greke prangosi shqiptarin, teksa ai ishte duke qëndruar në shtëpinë e tij, në një prej lagjeve të Athinës. Sipas policisë, Kondo kishte disa kohë që banonte aty dhe ishte me qira. Në kryeqytetin grek kanë qenë edhe punonjës të zyrës së Interpol Tiranës, të cilët kanë ndihmuar në këtë operacion. Janë kryer procedurat e nevojshme për rikthimin e të kërkuarit në Shqipëri. Pas kërkesës së bërë ndaj autoriteteve greke, Kondo së bashku me punonjësit e Interpolit kanë mbërritur ditën e djeshme në aeroportin e Rinasit. I kërkuari i është dorëzuar policisë dhe pritet që të dalë përpara gjykatës për të marrë dënimin e tij në ditët në vazhdim. Sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit të Fierit, ndaj tij ishte dhënë masa “arrest me burg”. Kjo, pasi Kondo dyshohet të ketë kryer një vrasje para 15 vjetësh në qytetin e Fierit. Sipas burimeve nga policia, në vitin 1993 në lagjen “15 tetori” është qëlluar me armë zjarri, duke gjetur vdekjen, shtetasi Bashkim Hatija. Nga hetimet paraprake rezultoi se ishte pikërisht Kondo autori. Ai u largua nga vendngjarja dhe vetëm ditën e djeshme i është dorëzuar institucioneve shtetërore, për të vazhduar me procesin ligjor në lidhje me këtë çështje. Aleksandër Kondo akuzohet për “vrasje”.