Presidenca spanjolle: Shqipëria e Bosnja, pa viza brenda vitit
Presidenca spanjolle e Bashkimit Europian shpreh besimin se BE-ja do të heqë regjimin e vizave për shtetasit shqiptarë dhe ata në Bosnjë-Hercegovinës brenda këtij viti. Deklaratën e ka bërë ministri i Brendshëm spanjoll, Alfredo Perez Rubalkaba, sipas të cilit, të dyja vendet duhet të shtojnë përpjekjet për të plotësuar kërkesat e BE-së. Komisioni Europian rekomandoi pak ditë më parë liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, por Parlamenti Europian e shtyu miratimin e këtij vendimi për në qershor. Siç thekson deklarata e Presidencës spanjolle, dy vendet duhet ende t’i bindin shtetet anëtare të Bashkimit Europian se i përmbushin kriteret për të udhëtuar lirshëm në zonën “Shengen”. “Ne shpresojmë se ato do t’i përmbushin obligimet brenda vjeshtës”, - tha Rubalkaba, pas takimit me homologët e tij europianë në Luksemburg. “U kemi kërkuar atyre të bëjnë më shumë përpjekje për të siguruar që do të jenë gati”, - shtoi ministri. Sipas mediave spanjolle, mes shtetasve europianë ekziston shqetësimi dhe dyshimi se mund të përsëritet e njëjta situatë siç ndodhi me Rumaninë dhe Bullgarinë, anëtare të BE-së që nga viti 2007, që nuk arritën të përmbushnin premtimet e tyre për të luftuar korrupsionin në mënyrë efektive. Për këtë arsye, diplomatët thonë se shumë prej qeverive të BE-së hezitojnë të japin një datë të caktuar për heqjen e regjimit të vizave për shkak të shqetësimit për mospërfundimin e përgatitjeve nga këto dy vende.
Withers: “Qeveria dhe opozita dinë të bëjnë vetëm retorikë në rastet e homofobisë”
Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, deklaroi dje se ligji për diskriminimin në Shqipëri nuk do ketë vlerë nëse nuk do të zbatohet në praktikë. Deklarata e Withers-it u bë gjatë një konference rajonale me titull “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit publik për ligjin e ri, ‘Për mbrojtjen nga diskriminimi’”. Në fjalën e tij në konferencë, ambasadori Withers theksoi se “ligji do të jetë asgjë nëse nuk zbatohet në praktikë”. Në këtë mënyrë, ambasadori iu referua rastit “Klodi”, të riut shqiptar që mori pjesë në një reality show nga ku deklaroi dhe prirjet e tij homoseksuale. Në këtë pikë, Withers nuk i kurseu kritikat ndaj politikës shqiptare. “Politika heshti për rastin ‘Klodi’. Qeveria dhe opozita dinë të bëjnë vetëm retorikë në rastet e homofobisë”, - tha Withers.
Konferenca dyditore organizuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë, PNUD-i dhe Agjencia Austriake për Zhvillim, mbylli dje punimet me prezantimin e konkluzioneve dhe rekomandimeve të dala nga grupet e punës.
Berisha niset drejt Berlinit, ku do të marrë pjesë në takimin e 27-të mbi sigurinë globale
Kryeministri Sali Berisha është nisur dje për në Gjermani, për të marrë pjesë në takimin e 27-të ndërkombëtar mbi sigurinë globale, i cili zhvillohet në Berlin nga data 4 deri më 7 qershor 2010. Për këtë vit, ky takim trajton temën “Siguria globale, sfidat në rritje”. Takimi organizohet nga Qendra për Studime Strategjike dhe mbështetet nga Ministria gjermane e Mbrojtjes, nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes, universiteti i Tennesse, si dhe nga kompani të mëdha si “Microsoft”, “CISCO”, “Lockheed Martin” etj. Kryeministri Berisha në këtë aktivitet do të jetë referuesi kryesor i panelit të darkës, i cili do të trajtojë çështjet më të rëndësishme të sigurisë, ekonomisë dhe bashkëpunimit rajonal.
5 Qershor 2010