E Diel, 1 Nëntor 2026

Për grevën e studentëve të mi

Edmond Tupja 

E di, e dini, e dimë, qofshim pedagogë apo jo, se studentët janë në grevë. Me plot të drejtë. A e ke, a e keni, a e kemi parë modelin e diplomës që është vendosur t'u jepet studentëve pasi të kenë mbaruar ciklin e parë pra, trevjeçar, të studimeve të larta në përputhje me Kartën apo Sistemin e Bolonjës? Nëse po, pra, nëse e ke, e keni, e kemi parë me sytë e ballit dhe jo të asaj pjese të trupit ku kurrizi mban një emër tjetër që me byrekun ka të përbashkët vetëm dy shkronjat e para, atëherë duhet ta pranosh, ta pranoni, ta pranojmë se kemi të bëjmë me një turp kombëtar për tërë universitetet tona publike. Një turp me salcë bolonjeze, a thua se ministria e Arsimit dhe e Shkencës është thjesht një kuzhinë ku gatuhen vetëm spageti! Si mund t'i jepet një studenti që mbaron ciklin e parë universitar një diplomë a më saktë një paçavure ku nuk shënohet as emri i fakultetit që e lëshon atë? Mos vallë Republika e Shqipërisë, e përfaqësuar në këtë rast nga ministria e Arsimit dhe e Shkencës, i trembet diçkaje të pathënë në diplomat e saj të ardhshme universitare? Mos vallë diku ligji për Arsimin e Lartë çalon me këmbët e tij prej dordoleci, pavarësisht patericave moderne? Mos vallë ideuesit dhe realizuesit e modelit mjeran të diplomës në fjalë çalojnë edhe ata me të gjitha këmbët jo vetëm të trupit, por edhe të trurit? Mos vallë kjo lloj diplome fsheh mendime të mbrapshta, zhvleftësuese e përbuzëse, për studentët shqiptarë, pra, për studentët e mi? Mos vallë me këtë farë diplome, në vend të shkojë drejt Europës, arsimi ynë i lartë publik rrezikon të shkojë drejt Eugropës?
Po, e di, e dini, e dimë se studentët kanë të drejtë në zemëratën dhe protestën e tyre. Prandaj i pamë të shkonin e të qëndronin para ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës me pankarta në duar duke hedhur gojarisht parullat e rastit. Por mendimi im është se fajin nuk e ka vetëm ministri Bejo. Atij dopiogjashtën ia ka lënë në dorë krejt pabesisht paraardhësi Pollo me byreklëpirësit e tij të cilët e bënë çorap e lesh arapi arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë. E pata, e patët, e patëm një parandjenjë të keqe atë ditë të çuditshme kur ministri Pollo u largua nga posti i tij në majë të Arsimit e të Shkencës për t'u katapultuar zëvendëskryeministër, në një kohë që meritonte të përfundonte atje ku e kanë vendin dhe kuvendin politikanët dhe qeveritarët dështakë, sepse mbi atë bie, shembet e  plandoset  një përgjegjësi e rëndë për ngadhënjimin e stilit oportunist të "çorbës" në tërë ngrehinën e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë.
Studentët tanë, pra, edhe studentët e mi, duhet ta dinë se sot universitetet publike po paguajnë haraçin e pashmangshëm të veprës mediokre të paraardhësit të ministrit Bejo. Dhe, sipas meje të paktën, përgjegjësi të drejtpërdrejtë mban për këtë edhe kryeministri Berisha, ashtu siç mban edhe për veprën po aq mediokre të paraardhësit të ministres së sotme të Shëndetësisë. E di, e dini, e dimë se në këto dy sfera kaq jetësore për shoqërinë shqiptare të çoroditur, të hallakatur nganjëherë deri në trullosje gjatë këtij tranzicioni mjaft problematik, haraçi për t'u paguar është tepër i rëndë sepse paaftësia dhe korrupsioni, që u institucionalizuan dhe bënë kërdinë kur e majta qëndroi për tetë vjet në pushtet, kanë krijuar një mendësi dhe disa reflekse që sot janë theksuar edhe nga papërgjegjshmëria e disa ministrave dhe e klaneve të klonuara frikshëm në gjirin e së djathtës, nga babëzia e tyre për t'u pasuruar me çdo kusht e me çdo mjet.
Studenteve dhe studentëve shqiptarë brenda vendit, pra, edhe atyre që kam në klasë rregullisht, zbatimi me ngut të madh dhe në mënyrë të sipërfaqshme i Kartës apo Sistemit të Bolonjës, u ka sjellë mjegullim e çoroditje lidhur me arsimimin e tyre dhe mundësinë për t'u pajisur me një diplomë që do t'ua lehtësonte futjen në tregun e punës. Sot, modeli i diplomës që u jepet, i fyen rëndë, i lëndon në sedër, i plagos në dinjitet sepse ato dhe ata nuk janë as dele shterpë, as deshë të tredhur. Prandaj edhe janë hedhur në grevë e në protesta, prandaj edhe ti, edhe ju, edhe ne, qofshim pedagogë ose jo, duhet patjetër t'i përkrahim pa rezerva në kërkesat e tyre të drejta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›