E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim emrave të Topit, kalon projekti i PD

 

BLEDAR HOTI

Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit do të paraqesin për votimin në seancë variantin e paraqitur nga ana e Fatos Bejës, duke mos u fokusuar tek propozimet konkrete të opozitës. Mbledhja e djeshme e këshillit u zhvillua pa praninë anëtarëve të opozitës, të cilët kishin marrë si duket, një qëndrim për mosparaqitje. Sipas deputetit të PS-së, Albert Çaci mos prania e opozitës lidhet me një vendim politik të tyre, për shkak se maxhoranca nuk do të pranonte asnjë prej propozimeve të paraqitura nga ana e deputetëve socialistë Arben Malaj dhe Besnik Dervishi. Anëtarët e opozitës në këtë këshill, Petro Koçi, Besnik Dervishi, Angjelina Kola, Albert Çaçi dhe Vangjel Tavo ndërmorën një vendim të përbashkët për të mos qenë prezentë, me argumentimin se PD-ja nuk do të merrte në konsideratë propozimet e tyre. “PD në këshill merr vendime të njëanshme, maxhoranca kujtohet se kërkesat duhet të votohen, por ata harrojnë se vendimet në të merren me konsensus. Nuk e di se si është problemi, por maxhoranca duket se e ka një hall përderisa merr një vendim të tillë”, deklaroi Çaçi për “Panorama”. Ndërsa është përcaktuar se do të votohet për variantin e paraqitur nga demokrati Beja. Votimi i këtyre ndryshimeve do të bëhet në seancën e së hënës pasdite. Në deklaratën për median bëhet e ditur se Këshilli ka marrë në shqyrtim dy amendamentet e paraqitura si nga Beja dhe nga dy socialistët Malaj dhe Dervishi. “Për të rritur transparencën ndaj publikut, për çdo kandidaturë që Kuvendi do të zgjedhë apo do të japë pëlqimin si dhe për të forcuar kontrollin parlamentar, u propozua që komisionet parlamentare të zhvillojnë seanca dëgjimore”, thuhet në njoftimin për shtyp. Gjithashtu, theksohet se do të ketë riformulim të neneve të paraqitura. “Me synimin për të forcuar shtetin e së drejtës dhe në mënyrë që të mos përsëritet më rasti që kandidaturat, që nuk plotësojnë kriteret ligjore të futen në procedurë, si edhe për disa çështje të tjera, Këshilli i Rregullores ra dakord që byroja juridike të formulojë ligjërisht propozimet e bëra për t’ia kaluar seancës plenare”, thuhet në përfundim të njoftimit për shtyp. Deputeti i PD-së, Ilir Bano tha pas mbledhjes se “në mënyrë që të mos përsëritet më që kandidaturat që nuk plotësojnë kriteret ligjore të futen në procedura, Këshilli ra dakord që Byroja Juridike të formulojë ligjërisht propozimet e bëra për t’ia kaluar seancës së radhës”. “Thelbi i këtyre ndryshimeve ka të bëjë me garantimin e cilësisë së përzgjedhjes së kandidaturave për organet kushtetuese dhe organet e përcaktuara me ligj dhe rritjen e funksionit të Kuvendit në përzgjedhjen e tyre në përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë mendoj që nuk ka ndryshim për këtë për seancën dëgjimore, pasi edhe socialistët janë dakord që, për kandidaturat që zgjedh Kuvendi për organet kushtetuese, ose për rastet kur jep pëlqimet për kandidaturat që sjell Presidenti i Republikës janë njëzëri të mendimit, që duhen organizuar seancat dëgjimore”, theksoi Bano. Por socialistët janë kundër hetimit të kërkuar nga ana e Kuvendit për emrat që do të paraqiten nga presidenti si anëtarë të institucioneve të pavarura dhe kushtetuese.

Malaj kundër: PD po vepron me emergjencë

Deputeti i PS-së, Arben Malaj e ka cilësuar si tepër emergjente mënyrën e veprimit të PD-së në lidhje me ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Malaj së bashku me Dervishin kishin paraqitur amendamentet në emër të opozitës, ku kërkohej vetëm zhvillimi i seancave dëgjimore. “Propozimi jonë ndryshon në thelb me propozimin e maxhorancës. Seancat e dëgjimit që janë një element i kontrollit parlamentar dhe një eksperiencë pozitive në demokracitë parlamentare ndryshojnë thelbësisht nga propozimet që i konvertojnë këto seanca dëgjimore në seanca hetimi, apo seanca gjyqësore për kandidaturat e propozuara, qoftë nga presidenti qoftë nga qeveria, qoftë nga vetë Parlamenti”, deklaroi Malaj. Sipas tij, që “në momentin që maxhoranca ndryshon Rregulloren pa asnjë diskutim të gjatë, por në emergjencë, pa pjesëmarrjen e opozitës, por thjesht me votat e saj, besoj që vetë maxhoranca e ka provokuar një debat të ashpër në Parlament”. Opozita pritet të kontestojnë të drejtën e hetimit nga komisionet mbi meritën e kandidaturave, duke i cilësuar si një prishje balancimit të pushteteve legjislativ dhe të Presidentit, të parashikuara në Kushtetutë.

Topi, të mërkurën emrat në Kuvend

Presidenti Bamir Topi, do të dërgojë të mërkurën në Kuvend pesë emrat për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

ADI SHKEMBI

 Lajmi konfirmohet nga anëtarë të grupit të punës, të cilët janë duke punuar pranë kreut të shtetit lidhur me përzgjedhjen e kandidaturave që plotësojnë kushtet për këtë institucion. Ashtu siç edhe pritej, Topi i ka qëndruar strikt deklaratave të tij se përzgjedhja e emrave është ekskluzivitet i tij dhe Kuvendi duhet të japë pëlqimin ose t’i rrëzojë. Një ditë pas rrëzimit në Kuvend të pesë dekreteve të para të kreut të shtetit për këtë gjykatë, ai e ka konsideruar votimin si një ekzekutim politik dhe pavarësisht qëndrimit të maxhorancës është shprehur i vendosur për të mos diskutuar me partitë politike për emrat, por vetëm për kriteret. Pikërisht për këtë çështje, ai ngriti një grup pune ku edhe partitë mund të japin sugjerimet e tyre lidhur me kriteret.
Grupi i punës
Burime pranë grupit të punës bëjnë të ditur për gazetën se, edhe gjatë ditës së djeshme është zhvilluar një tjetër mbledhje, që tani po bëhen vetëm rutinë, pasi nuk po merret asnjë vendim lidhur me emrat që do t’i paraqiten kreut të shtetit. Pas debateve të një dite më parë ku anëtarët e grupit të punës nuk binin dakord për termin ‘jurist i shquar’, gjatë mbledhjes së djeshme nuk është arritur të seleksionohen kandidatët për shkak se duhen pritur më parë propozimet për kriteret që do të vijnë nga partitë politike. Grupi i punës ka pranuar dy kritere të PD-së pikërisht, integritetin moral të gjyqtarëve dhe bërjen transparente të pasurisë së tyre, ndërkohë që është duke u diskutuar për kriteret e tjera. Burimet shtojnë gjithashtu se, mbledhjen rutinë do ta vazhdojnë deri të hënën kur është edhe afati i fundit i mbledhjes së propozimeve të partive. Të hënën dhe të martën pritet të zhvillohen edhe dy mbledhjet më të rëndësishme të grupit të punës, ku në bazë edhe të kritereve të partive politike do nisë seleksionimi i emrave. Në tryezën e presidentit Topi pritet të vijnë 10-20 dosjet, me CV-të më të pasura të kandidatëve dhe do të jetë pikërisht kreu i shtetit ai që do të bëjë përzgjedhjen përfundimtare dhe të mërkurën do të nxjerrë dekretet për vendet e mbetura bosh në Gjykatën e Lartë. Deri tani në zyrën e Topit kanë mbërritur kriteret e paraqitura nga Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Partia Demokristiane, por grupi i punës do të presë deri të hënën në mbyllje të afatit të vendosur nga presidenti. Përcaktimi i qartë se çfarë është “jurist i shquar”, ka shkaktuar debate në mbledhjen e dy ditëve më parë të këtij grupi, të ngritur në Presidencë për kriteret për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Në atë mbledhje, anëtarët e grupit të punës, të cilin e drejtoi këshilltari ligjor i presidentit, Artur Metani, nuk është arritur konsensusi lidhur me përcaktimin e një termi, që është edhe një prej kushteve favorizuese për kandidatët. Pas mosgjetjes së një përcaktimi të saktë pikërisht për këtë term, është marrë vendim që grupi i punës të ndahet në dy grupe, të cilët në mënyrë individuale do të përcaktojnë kriteret për kandidatët si dhe do të qartësojnë termin “jurist i shquar”. Ndërkohë bëhet e ditur se, në listën e 110 aplikuesve janë edhe pesë emrat që u rrëzuan pak javë më parë nga Kuvendi, për shkak se, sipas legjislativit, presidenti nuk ishte konsultuar paraprakisht.

Kandidatët që kanë aplikuar

Bashkim Çami
Bujar Sheshi
Arben Qeleshi
Valentina Teodoresku
Vexhi Muçmata
Marenglen Rrapi
Sinan Tafaj
Violanda Theodhori
(Donato)
Valentina Sadiraj
Agron Cami
Zamir Moçka (Stefani)
Agron Zhukri
Fatos Dervishi
Zef Nikaj
Përparim Sanxhaku
Dalip Bushi
Besnik Çollaku
Altina Xhoxhaj
Mimoza Arbi
Mariana Shegani (Dedi)
Roland Mici
Arben Ristani
Aleksandër Muskaj
Zamir Poda
Guxim Zenelaj
Lefter Jahaj
Arjana Fullani
Agim Bendo
Arben Rakipi
Hysni Demiraj
Burham Malevi
Artan Zeneli
Kristaq Traja
Neshat Fana
Vangjel Kallço
Andi Çeliku
Kristofer Peçi
Pranvera Strakosha
Gjovalin Përnoca
Artur Selmani
Evelina Qirjako
Fiqrete Mullaj
Fatmira Luli (Bileri)
Skënder Demiraj
Gjet Kola
Elida Take
Petraq Çurri
Medi Bici
Pajtim Hoxha
Ilir Shurdhi
Rexhep Bekteshi
Musa Breçani
Vasil Bendo
Musa Halili
Kostika Çobanaqi
Hanëme Bakia
Artan Broci
Admir Thanza
Vjollca Meçaj
Hysen Keta
Gjin Gjoni

PS: Kandidatët të kenë tre rekomandime

Partia socialiste ka çuar dje në presidencë krieteret që vetë presidenti kishte kërkuar nga partitë politike në formë propozimi për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Në kriteret që socialistët poropozojnë për kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, kërkohet respektimi i kritereve të sanksionuara në Kushtetuitën e Shqipërisë. “Në përzgjedhjen e kandidaturave para së gjithash ne konsiderojmë të rëndësishme respektimin e kritereve që përcakton Kushtetuta e Shqipërisë dhe kuadri ligjor në fuqi, ndërkohë jemi të gatshëm që në kuadër të reformës në drejtësi, të japim kontributet tona në përmirësimin e tyre”, thuhet në letrën e socialistëve. Për përveç këtij parimi kushtetues, socialistët propozojnë dhe disa kritere me karakter profesional dhe moral. “Procesi i përzgjedhjes, shqyrtimit dhe votimit të kandidatëve për në Gjykatën e Lartë, duhet ti japë përparësi kritereve që i garantojnë gjyqësorit juristë me integritet moral, dëshmojnë nivel të lartë profesional, duke gjykuar mbi bazën e karrierës, vlerave dhe rezultateve pozitive të shfaqura prej tyre në ushtrimin e detyrës, nuk u janë provuar shkelje gjatë ushtrimit të detyrës, kanë dëshmuar transparencë në deklarimin e pasurisë, i provojnë vlerat profesionale edhe përmes rekomandimeve nga të paktën tre personalitete të shquara të fushës”, përcaktojnë socialistët në letrën e tyre. Por mbi të gjitha socialistët kërkojnë që “vlerësimi i kandidaturave duhet bërë jo mbi kritere paragjykues e përjashtuese me motiv politik e klientelist”. Pas rrëzimit të dekreteve të tij në parlamenti për anëtarët e Gjykatës së Lartë, presidenti i republikës pasi ngriti grupin e tij të konsultimit, me ekspertët të fushës juridike, kërkoi nga partitë socialiste të paraqesin propozimet e tyre për kriteret e kandidatëve për në Gjykatën e Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›