E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjarjet janë jashtë kontrollit!

HENRI ÇILI 

Në tre muajt e fundit jeta politike shqiptare u përmbys. Të gjithë ekuilibrat e vjetër u prishën. Së pari, armiqtë Rama-Berisha janë sot në një kuotë kooperimi që nga shumëkush konsiderohet më shumë se sa duhet “konstruktive”. Së dyti, Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha janë gjatë ekzekutimit të një rivaliteti që ka bashkë në një, jo thjesht ngërçet e së shkuarës mes këtyre dy personazheve, por dhe llogaritë e së nesërmes. Së treti, Prokurorja e re e Përgjithshme Ina Rama, më e pakta që mund të thuhet për të, është se nuk dëshiron të identifikohet me maxhorancën aktuale në pushtet. Së katërti, shpërthimi i Gërdecit i dha fund edhe formalisht në një çast të vetëm kredos morale me të cilën demokratët pretenduan se fituan zgjedhjet gjithaq dhe “pse-së” së mbijetesës së Sali Berishës në politikë, si njeriu i vullnetit të mirë dhe virtytit politik. E fundit, por jo me pak e rëndësishmja, ndërkombëtarët dhe në veçanti amerikanët janë në një moment të ri vlerësimi të shumicës në pushtet dhe të gjendjes së demokracisë shqiptare. E pra, tre muaj më parë të gjithë këta elementë ishin krejtësisht ndryshe. Për të mos thënë se ishin në të kundërt të gjendjes aktuale. Po pse dolën “jashtë kontrollit” këto ekuilibra për të cilat duhet thënë se qeveria dhe Kryeministri Berisha kishin investuar aq shumë, kishin harxhuar aq shumë mund dhe kishin paguar një haraç politik të pallogaritshëm? Arsyeja është e thjeshtë: ashtu si një katror nuk mund të futet brenda një rrethi, edhe sistemi demokratik nuk mund të manipulohet dhe inskenohet deri në atë masë sa të ruajë një ekuilibër pervers së të gjithë sistemit. Sepse ashtu si rrugët e Zotit janë të pafundme dhe potenciali i sistemit demokratik nuk mund të shterojë nga truket.
   Duke filluar me opozitën. Ajo dukshëm i ka kapërcyet kufijtë e kooperimit normal me qeverinë për çështje dhe reforma të rëndësishme, aq sa vihet në dyshim përfaqësimi i vullneteve opozitare të grupeve, shtresave dhe aktorëve që e mbështesin atë. Opozita është modeluar shumë fort, është përcaktuar plotësisht nga rrethanat e liderit të ri të saj, aq sa mbetet një pikëpyetje të madhe se si do ta zgjidhë Edi Rama një ekuacion me shumë të panjohura, që janë zgjedhjet 2009 për të majtën shqiptare. A mundet të kontrollojë rezultatin e këtij ekuacioni lideri i opozitës, për t’i dhënë vendit një alternativë politike dhe vetes një shans në politikë. Kjo mbetet për t’u parë, për momentin një rezultat pozitiv është jashtë kontrollit.

Lidhur me konfliktin president–kryeministër, merr pjesë një moment i përjetshëm i politikës: ambicia e politikanit dhe njeriut të pushtetit, e cila nuk mundet asesi të jetë një fakt përgjithnjë i parashikueshëm. Nëse Bamir Topi është pëlqyer gjithnjë, por asnjëherë nuk ka përmbushur shpresat e atyre që e pëlqenin, prapëseprapë ai është imponuar në skenën politike shqiptare, qoftë dhe me mungesën e aksionit. Një centrifugë interesash, pse jo ambiciesh dhe parimesh që mbështjell figurën e tij, ka sjellë shenjat e parë të institucionit të tij si president i vërtetë. Me aktin e emërimit të 5 gjykatësve të lartë, mund të thuhet se vullneti i presidentit për të luajtur një rol, jo siç pritej është shpallur. A mund të llogaritet pasoja e këtij vullneti? Sidomos për një institucion si Presidenti i Republikës që ka mundësinë për ta rikrijuar veten çdo herë, asgjë nuk mund të parashikohet.

Prokurorja e re e Përgjithshme Ina Rama dhe institucioni përherë problematik i akuzës në Shqipëri, sipas të gjitha gjasave është para faktit të kryer të konfliktit me shumicën aktuale. Një prokurori në luftë me Kryeministrin Berisha deri në zgjedhjet e vitit 2009, mund të sjellë pasoja krejt të papritur mbi ngjarjet. Shenjat janë dhënë.
Shpërthimi i Gërdecit dhe gjithçka çfarë simbolizon kjo ngjarje, e ka nxjerrë Kryeministrin Berisha përfundimisht nga formati politik i mëparshëm. Ngjarja dhe pasngjarja e ka bërë atë mjaft të dyshimtë në opinionin publik, deri në atë masë sa praktikisht ka hedhur në erë komunikimin e tij politik para-Gërdec. Edhe pse flet, Berisha nuk komunikon më. Ai e ka të domosdoshme ta rikrijojë veten politikisht. Si mund të ishte një Berishë i rikrijuar politikisht? Kjo është vërtet diçka krejt hipotetike. Nëse kemi mbaruar punë me një Berishë antikomunist, mund të thuhet se kemi mbaruar punë edhe me Berishën–antikorrupsion. Berisha tjetër nuk dihet se ç’mund të jetë.

Dhe së fundmi amerikanët, me të cilët gjithë bota ngatërrohet, pasi i merr SHBA-të si një të vetme. Kur në fakt ka disa SHBA. Dhe pikërisht suksesi i kësaj mrekullie të kohëve moderne qëndron këtu. “Amerikanët” dhe “Amerika” janë shumë. Është Ambasada amerikane, është ambasadori amerikan, është Departamenti i Shtetit, është CIA, është Pentagoni, është “New York Times”, është CNN, është gjykata amerikane, është presidenti amerikan. Ndaj është iluzion i paparë ai pohim se dikush “e ka mirë “ apo “e ka keq” me amerikanët. Roli i SHBA-ve në demokracinë e brishtë shqiptare ka vetëm një konstante: të mirën e këtij vendi. Gjithçka tjetër është e lëvizshme.

Ndaj të gjitha ngjarjet janë jashtë kontrollit këtë verë politike. Ekuilibri i vjetër është prishur. Ngjarjet janë jashtë kontrollit deri në një ekuilibër të ri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›