Gjyqësori rrëzon të dënuarit e rremë
Dëmshpërblimi i ish-të dënuarve politikë, Ministria e Drejtësisë skarcon gjysmën e kërkesave. Në një linjë edhe gjyqësori
Zbatimi i ligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” ka nxjerrë në pah edhe të persekutuarit e vërtetë që vuajtën në burgjet e diktaturës. I vënë në zbatim në fillim të këtij viti, ky ligj ka arritur në një farë mënyre, që të kryejë selektimin midis të ish-të dënuarve politikë dhe atyre që për shumë vite me radhë janë hequr si të tillë, duke përfituar padrejtësisht para nga buxheti i shtetit. Siç është bërë e ditur në ditët e para të muajit janar, Ministria e Drejtësisë shpërndau në pikat e postës shqiptare formularin e aplikimit për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, i cili është i vlefshëm për një periudhë njëvjetore nga data e hyrjes në fuqi të ligjit. Në këtë formular ishin vendosur një sërë kriteresh strikte, të cilat duhet të plotësoheshin nga ish-të dënuarit politikë apo në mungesë të tyre nga familjarët. Ministria e Drejtësisë informon se, duke filluar që nga periudha që ligji ka hyrë në zbatim, në këtë dikaster janë depozituar 936 kërkesa, nga të cilat 384 janë kthyer pas. Kjo shifër, e cila nuk është përfundimtare, tregon se, më shumë se gjysma e formularëve të dorëzuar kanë rezultuar me mangësi të shumta në dokumentacion. Këtë fakt e pranon edhe Ministria e Drejtësisë, e cila ka siguruar se nuk do të pranohet asnjë formular, ku të dhënat nuk janë të sakta. Aktualisht kjo ministri ka kaluar në gjykatë 39 kërkesa të mbërritura nga persona që kanë plotësuar formularin si ish-të dënuar politikë apo nga familjarë të tyre. Nga këto, gjykata ka përgatitur relacionin vetëm për 11 kërkesa, ndërsa 28 kërkesave të mbetura togat e zeza u kanë kthyer përgjigje negative. Ndërsa për fituesit, gjykata ka vendosur t’i kalojë për llogari të masës së shpërblimit, për pjesën tjetër që kanë rezultuar humbës, ku po kjo gjykatë e ka argumentuar vendimin me arsyetimin, se kërkesat e paraqitura janë bërë nga persona që nuk u takon e drejta sipas ligjit. Sipas togave të zeza, individët humbës që kanë paraqitur kërkesë për fitimin e masës së dëmshpërblimit janë jashtë rrethit familjar të përcaktuar. Po kështu, në bazë të vendimeve të dala, midis humbësve ka edhe persona që nuk kanë marrë dënim të padrejtë për efekte të ligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”.