E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim përmes një komisioni kombëtar për krimet e periudhës komuniste

Deklaron raportuesi i posaçëm i OKB, për ekzekutimet pa gjyq


Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për ekzekutimet jashtëgjyqësore, Philip Alston, në raportin e tij faktmbledhës për gjakmarrjen në Shqipëri, i referohet gjerësisht shkeljes dhe dhunimit të të drejtave të njeriut në periudhën e qeverisjes diktatoriale. Alston, i cili mbrojti të njëjtin qëndrim edhe gjatë takimit të zhvilluar me kryeministrin Berisha, rithekson edhe njëherë se për zbardhjen e krimeve të komunizmit është i nevojshëm kryerja e një hetimi të plotë, përmes ngritjes së një komisioni kombëtar. “Kur shkeljet janë në shkallë të gjerë dhe ende të ngarkuara politikisht, siç është rasti i Shqipërisë, drejtësia mund të zgjidhet më së miri nëpërmjet një komisioni kombëtar i cili mund të kryejë një hetim të pavarur, sistematik dhe të qëndrueshëm të shkeljeve të të periudhës komuniste. Në vend të kësaj, Qeveria ka zgjedhur kohët e fundit ngritjen e një instituti për studimin e shkeljeve të periudhës komuniste, si dhe një grup pune për zbulimin e varreve masive të asaj periudhe historike. U sigurova nga Kryeministri se instituti do të ketë akses të plotë në dosjet e shërbimit sekret dhe të gjitha dosjet e tjetra qeveritare te asaj kohe”, deklaron Alston. Ai përmend veçanërisht se një javë para nisjes së misionit të tij në Shqipëri, një varr masiv i periudhës komuniste me 19 trupa u zbulua në afërsi të fshatit të Linzës. “Zbulimi përbën një kujtesë e fortë se, njëzetë vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria nuk është marrë në mënyrë të plotë me vrasjet dhe shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut të kryera gjatë atyre viteve. është pranuar gjerësisht se mijëra shqiptarë janë torturuar, ekzekutuar dhe zhdukur nga shteti, por shumë nga familjet e viktimave nuk kanë arritur të mësojnë fatin e të dashurve të tyre, dhe detajet e shkeljeve të regjimit nuk janë nxjerrë në dritë. Në një pjesë të madhe, kjo vjen për shkak se Shqipëria është një prej pak vendeve të ish-Perdes së Hekurt që nuk i ka hapur arkivat e saj të shërbimeve sekrete të periudhës komuniste. Numri i vogël i gjykimeve të ndërmarra në vitet 90-të për një kuadër specifik të krimeve kundër njerëzimit nuk e zëvendëson dot nevojën për një pasqyrim më të gjerë”, thotë më tej, raportuesi i posaçëm për ekzekutimet jashtëgjyqësore, Philip Alston. Sipas tij, pa u zbardhur krimet e komunizmit, vendi mund të ngelet peng i së kaluarës së errët diktatoriale. Ligjet miratojnë Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje në mbledhjen e radhës, projektligjin mbi krijimin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe të Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Ngritja e këtij institucioni në Shqipëri, synon të edukojë dhe ndihmojë shoqërinë në ruajtjen e kujtesës për një nga të këqijat më të mëdha që përjetoi në historinë e saj. Në funksionin e tij, Instituti do të jetë i karakterit publik, i financuar nga buxheti i shtetit si dhe do të ketë një bord dhe arkivë të posaçme. Në veprimtarinë e tij studimore, do të ketë botime si dhe dokumentarë radiotelevizivë, të cilët do t’i shërbejnë dhe karakterit studimor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›