E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita humb betejën me arsyen

Përfundimisht opozita abdikon Parlamentin shqiptar. Topi është në pozicion jashtë loje. Edhe delegacioni i KiE nuk ka mundur të ndryshojë qëndrimin e opozitës. Kurse Edi Rama pret perëndinë e luftës. As më shumë e as më pak, opozita nën hyqmin e Edi Ramës si negociator pati disi shpresë për zgjidhje; por më kot, edhe shpresa u vra nga I Pashpresi. Midis të këqijave të kutisë së pandorës ishte edhe shpresa, bashkë me sëmundjen dhe vdekjen. Kauza e kutive është e dalë boje, siç u ka dalë boja fasadave të kryeqytetit. Sajesa e kutive është veçse për të hedhur qeverinë e koalicionit PD-LSI, të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Kurrsesi nuk është një rrufe në qiell të hapur. Nuk mund të bindësh një të pabindur për humben e vet. Ajo është një çështje personale, që ka një ortek emocional të fshehur të humbjes. Shkatërrimi i Politikës së Re vjen si pasojë e një shkaku neurotik, nga një alergji personale e Edi Ramës për demokracinë. Nuk pranon kur humb, nuk lëshon kur fiton. Ai vetë deklaron pas takimet final të KiE se “Askush nuk tha kutitë nuk mund apo
nuk duhet të hapen”. Nuk ka arsye për të thënë këto fjalë të turpshme. Asnjë nuk e ndalon opozitën të hapë kutitë, përpos kaktusit të Gjykatave. Kur prek gjykata, bëhesh me gjak.
Mirëpo strategjia është e qartë, mozaiku tanimë është komplet, këtu kërkohet hedhja në erë e sistemit, sepse Edi Rama ka bërë ESC nga dritarja e parlamentit. Nëse nuk beson në sistemin kushtetues shqiptar (këtu edhe me një leximin nga Komisioni i Venecias), le të kërkojë një rend tjetër autokratik, magjik, filozofik, azmatik. Sikurse dëftehet me sajesën e “hapjes së kutive”, ai i lëshon një "fatwa" kryeministrit Berisha. Anadollizmi politik e shikon armik Venedikun. Si mot Turqinë, ashtu sot bizantizmi politik edvinian. është versioni modern i kontit të Monte-krisurit, për t’u hakërryer ndaj pushtetit.
Ndërkaq po ashtu është e qartë se atij i intereson një krizë apo ngërç i tillë, për të mbajtur partinë rreth vetes dhe opinionin publik larg tij për humbjen e 28 qershorit. Kur të zgjohet PS nga narkoza e egoarkut, Rama do të shikojë një trup elektoral të ngrënë pak nga pak
nga krimbat, që kanë më shumë uri, ku nuk u mjafton kurrë shija e humbjes. PS ka humbur besimin në vetvete e afërmendsh ka humbur besimin në institucione, në këtë rast në Gjykatën Kushtetuese apo tek një komision këshilluesish për problemet kushtetuese, si ai i doxhëve të Venecias. Të vërtetën që kërkoj në qëndrimin e PS nuk e gjej as unë, as mijëra qytetarë që blejnë këtë gazetë apo gazeta të tjera. E vërteta që promovon PS është e vërteta e feniksit arab, zogut mitik që rikthehet pas 5 shekujsh. Edi Rama është fajtor apo i pafajshëm për sjelljen në opinionin publik? Duhet të besojmë konferencat për shtyp apo debatet-opinionet e analistëve?
Politika vendos baltën në ventilatorin e medies apo kjo e fundit po kërkon kthjelltësi? Ekziston apo jo hija e një politike katastrofiste që po bjerr moralin e shoqërisë? Kur besojmë se ligji është i barabartë për të gjithë, përse të mos zbatohet për të gjithë? Kauza personale e një politikani a nuk e eliminon supremacinë e ligjit dhe sensin e shtetit, dy kolona në themelin e demokracisë?
Mirëpo diçka e shoh me qartësi: prezencën në trupin e opozitës shqiptare të një kandrre që ftillon pjesët e majme dhe demokratike derisa të ngopet. Krimbi nuk është në shoqërinë shqiptare por në kontenitorin e partive impotente. është një parti që socialiste ka vetëm emrin. Ajo sot është një pasqyrë e thyer e personalitetit të modifikuar gjenetikisht nga zilia. Dhe zilia nuk do shkak, ajo lind ashtu si ictus nën rrudhat e rrashtës së kresë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›